Revolucionarët e Flamingos, në muajin e katërt të protestës së shkrehur dhe që përfundon çdo natë në përleshje me njëri-tjetrin, kanë nisur të demostrojnë shenja radikalizimi, duke kaluar në veprime të paligjshme, përfshirë edhe alarme të rreme për bomba në shkolla, me qëllim për të krijuar terror dhe panik.
Një telefonatë për vendosjen e një bombe në shkollën “Emin Duraku” ka alarmuar policinë mëngjesin e kësaj të hëne. Telefonata është bërë rreth orës 06:30, duke pretenduar se në ambientet e shkollës ishte vendosur një bombë. Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Policisë, së bashku me strukturat antiterror, të cilat kanë nisur kontrollet në ambientet e institucionit arsimor.
Pas verifikimeve, rezultoi se bëhej fjalë për një alarm të rremë dhe nuk u konstatua asnjë lëndë apo pajisje shpërthyese. Në vijim të hetimeve, policia ka arrestuar Mandi Jataganin, i cili dyshohet se qëndron pas telefonatës që shkaktoi alarmimin. Jatagani është një nga përfaqësuesit e protestës së Flamingove. Gjithashtu raportohet se Jatagani është një person i njohur për Policinë Shtetit, pasi është shoqëruar disa herë për dhunë në protesta.