Pamjet amatore të prangosjes dhe dhunimit të një qytetari paraditen e sotme në Tiranë, po shpërndahen me shpejtësi në rrjetet sociale dhe kanë ngjallur reagime të shumta, sepse në to duket qartë momenti kur efektivi i "Shqiponjave" e qëllon të riun me grusht në bark.
Qytetari, ende i paidentifikuar, shihet teksa është i rrethuar nga disa punonjës policie të Forcës Kombëtare të Sigurisë (ish-FNSH) dhe efektivë Forcës "Shqiponja", ndërsa përballë tyre qëndron dhe një nga shefat, lehtësisht i verifikueshëm për shkak të uniformës.
Teksa policët bëhen gati për shoqërimin e të ndaluarit në furgon, aty afrohet një efektiv i "Shqiponjave" dhe e qëllon protestuesin me grusht në bark.
Ai nuk shihet duke bërë rezistencë apo duke kundërshtuar policët, ndaj pamjet po shpërndahen me shpejtësi në rrjetet sociale dhe reagimet janë të shumta e të forta, duke bërë thirrje për dënimin e aktit nga Policia e Shtetit.
