Ditën e sotme po zhvillohet në Hagë seanca e radhës gjyqësore për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe katër të akuzuarit e tjerë, ndërsa janë mësuar dhe tre gjyqtarët e Trupit Gjykues II, të cilët do të vulosin sot fatin e personave në fjalë. Konkretisht mësohet se bëhet fjalë për amerikanin Charles L. Smith III, gjermanin Christoph Barthe dhe zviceranin Guénawl Mettraux.
Po ashtu bëhet me dije se gjyqtari irlandez Fergal Gaynor është pjesë e panelit në cilësinë e gjyqtarit rezervë, i cili nuk jep mendim për vendimet e panelit, përveç rastit kur caktohet për të zëvendësuar një nga gjyqtarët e rregullt.
Kush janë tre gjyqtarët që kanë në dorë fatin e Hashim Thaçit për “pengim drejtësie”:
Gjyqtari amerikan Charles L. Smith III është kryesues i Trupit Gjykues II dhe zëvendëspresident i Dhomave të Specializuara. Smith ka një lidhje të mëhershme me sistemin e drejtësisë në Kosovë. Nga viti 2010 deri më 2013 ka shërbyer si gjyqtar i EULEX-it, ndërsa nga viti 2011 deri më 2013 ishte edhe anëtar i Gjykatës Supreme të Kosovës.
Christoph Barthe eksperti gjerman i krimeve të luftës
Christoph Barthe është jurist gjerman me përvojë të gjatë në të drejtën penale dhe ndërkombëtare. Ai ka shërbyer si prokuror pranë Gjykatës Federale të Drejtësisë të Gjermanisë dhe është marrë me ndjekjen e krimeve të luftës dhe gjenocidit.
Guénawl Mettraux gjyqtari zviceran me përvojë ndërkombëtare
Guénawl Mettraux është jurist zviceran me përvojë të gjatë në të drejtën penale ndërkombëtare. Ai ka punuar në raste para Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Tribunalit Special për Libanin, Dhomave të Jashtëzakonshme në Kamboxhia dhe Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

