As të drejtit nuk i lejohet të jetë gjyqtar në çështjen e vet…(Paskal)
Gjyqtarët kërkojnë rritje page.
Mos u trembni. Nuk është lajm nga ndonjë vend ku gjyqtari shkon në punë me biçikletë, ha bukë me djathë në drekë dhe në fund të muajit kontrollon nëse i kanë mbetur lekë për dritat.
Është Shqipëria.
Vendi ku pagat e gjyqtarëve janë ndër më të lartat në sektorin publik, por, me sa duket, drejtësia nuk mund të bëhet me barkun bosh. Dhe barku bosh, në këtë rast, është një koncept juridik që fillon diku pranë rrogës së Presidentit dhe Kryeministrit.
Por pjesa më e bukur nuk është kërkesa.
Pjesa artistike është se çështja e pagave të gjyqtarëve përfundon… në gjykatë.
Pra, gjyqtari kërkon rritje page dhe gjyqtari do të shqyrtojë nëse gjyqtari meriton rritje page.
Këtu Montesquieu do ta kishte mbyllur librin.
(Monteskieja përcakton edhe kërkesën mbi ndarjen e pushtetit si parimin 7, ndërtimit të brendshëm shtetëror, e cila ka si qëllim mënjanimin e veprimeve arbitrare të individëve apo grupeve)
Konflikt interesi?
Çfarë fjale e rëndë!
Ne kemi besim te paanshmëria. Aq shumë besim, sa po të më çonin mua në gjykatë për të vendosur nëse duhet të ma dyfishojnë rrogën, do të përpiqesha të isha krejtësisht objektiv.
Do të dëgjoja palët.
Do të shqyrtoja provat.
Do të konsultoja Kushtetutën.
Pastaj, pas një reflektimi të thellë juridik prej rreth shtatë sekondash, do të vendosja:
Rroga të dyfishohet. Vendimi është i formës së prerë.
Madje do të shtoja edhe prapaveprimin.
Sepse drejtësia vonon, por rroga jo.
Drejtësia e ngadaltë dhe paga e shpejtë
Qytetari shqiptar mund të presë me vite për një proces gjyqësor.
Dosja ecën ngadalë.
Seanca shtyhet.
Mungon avokati.
Mungon eksperti.
Ndërrohet gjyqtari.
Riformohet trupi gjykues.
Dosja transferohet.
Vjen vera.
Fillojnë pushimet.
Vjen dimri.
Pastaj pranvera.
Pastaj një reformë në drejtësi.
Pastaj një reformë e reformës në drejtësi.
Dhe një ditë, pas njëzet vjetësh, drejtësia triumfon.
Vetëm se paditësi ka vdekur.
Nuk ka problem.
Vendimin e marrin trashëgimtarët.
Në Shqipëri mund të trashëgosh shtëpinë, tokën, borxhet dhe, me pak durim, edhe vendimin e gjyshit.
Drejtësia jonë është drejtësi brezash.
Zvarritën gjyqët dhe duhen tre breza për të mbaruar. Bukur e thotë Martin Lutër Kingu; një e drejtë e vonuar, është një e drejtë e mohuar.
E nis gjyqin babai, e vazhdon djali dhe vendimin e merr nipi.
Prandaj rroga e gjyqtarit duhet të jetë e mirë. Ka përgjegjësi të madhe: duhet të njohë tri breza të së njëjtës familje.
Populli i lig dhe gojët e këqija
Pastaj janë qytetarët.
Ata gjithmonë flasin.
Thonë se për të fituar ndonjë gjyq duhet të njohësh dikë.
Thonë se ndonjëherë duhet edhe të paguash.
Thonë lloj-lloj gjërash.
Janë thashetheme, sigurisht.
Ne nuk u besojmë thashethemeve.
Por shqiptari është popull i çuditshëm: kur humbet gjyqin, dyshon te gjyqtari; kur e fiton, thotë se fitoi drejtësia.
Dhe kur kundërshtari e fiton:
— Sa i dha?
Kështu është krijuar një degë e re e jurisprudencës shqiptare: matematika popullore e vendimeve gjyqësore.
Nuk pyetet më:
— Çfarë provash kishte?
Por:
— Sa shkoi?
Megjithatë, gjykatat nuk mund të gjykojnë mbi thashetheme.
Ato gjykojnë mbi prova.
Ose të paktën kështu thotë Kodi.
Sepse qytetari ka krijuar edhe një përshtypje tjetër të keqe: se ndonjëherë njeriun e fusim njëherë brenda dhe pastaj kemi kohë të kërkojmë provat.
Parimi klasik thotë:
Ka prova → hetohet → gjykohet → dënohet.
Versioni folklorik shqiptar perceptohet kështu:
Fute brenda → heto → kërko → kërko prapë → shty afatin → ndoshta del ndonjë provë.
Nëse nuk del?
Durim.
Drejtësia nuk bëhet me nxitim.
Përveçse kur bëhet fjalë për pagën e drejtësisë.
Reforma funksionoi
Ne bëmë edhe Reformën në Drejtësi.
Na thanë se do të kishim gjyqtarë më të pavarur, më profesionalë dhe një sistem që do t’i kthente qytetarit besimin.
Dhe besimi u kthye.
Sidomos besimi i gjyqtarëve se meritojnë rrogë më të lartë.
Një fshatar, mes dy gjyqtarëve, është si peshku midis dy macëve, ka thënë një president amerikan, Beniamin Franklini. I shkreti, nuk ecën as para, as mbrapa.
Qytetari ndërkohë vazhdon të presë në korridor.
— Kur e kam seancën?
— Muajin tjetër.
— Po çështjen e kam hapur në vitin 2011!
— Pikërisht. Mos u bëni i paduruar. Drejtësia kërkon kohë.
— Po kërkesa për rritjen e pagave?
— Ajo është urgjente.
Sepse vonesa e drejtësisë mund t’i kushtojë qytetarit pronën, lirinë, biznesin apo njëzet vjet jetë.
Ndërsa vonesa e rrogës së gjyqtarit rrezikon themelet e shtetit të së drejtës.
Gjykata Supreme e Rrogës
Prandaj propozoj krijimin e një institucioni të ri:
Gjykata e Posaçme për Mbrojtjen e Pagës së Gjyqtarit.
Anëtarët të jenë gjyqtarë.
Kryetari të jetë gjyqtar.
Paditësit gjyqtarë.
Ekspertët gjyqtarë.
Dhe në fund vendimi:
“Në emër të Republikës, Republika detyrohet t’u rrisë pagën atyre që sapo morën këtë vendim.”
Askush nuk mund të thotë se është vendim i njëanshëm.
Janë dëgjuar të gjithë gjyqtarët.
Madje mund të krijojmë edhe Gjykatën e Apelit të Pagave.
Nëse rritja del vetëm 20 për qind, bëhet ankim:
— Është cenuar dinjiteti kushtetues i gjyqtarit.
Nëse del 30 për qind:
— Nuk është respektuar proporcionaliteti.
Nëse del 50 për qind:
— Tani po afrohemi te standardet europiane.
Dhe nëse qeveria ankohet se nuk ka para?
Atëherë le të paraqesë prova.
Derisa t’i gjejë, mund ta fusim në paraburgim.
Në emër të popullit
Vendimet gjyqësore fillojnë me një formulë madhështore:
“Në emër të Republikës…”
Dikur thuhej edhe “në emër të popullit”.
Populli, ai që merr 400, 500 apo 600 euro në muaj, mund të pyesë me naivitet:
— Po mua kush më pyeti?
Askush.
Sepse populli nuk është jurist.
Ai vetëm paguan taksat.
Pret gjyqin.
Paguan avokatin.
Merr leje nga puna për seancën.
Shkon në gjykatë.
Mëson se seanca është shtyrë.
Kthehet muajin tjetër.
Dhe pas njëzet vjetësh merr vendimin.
Nëse është ende gjallë.
Ndërsa drejtësia vazhdon e pavarur, solemne dhe me kërkesën për pagë më të lartë në dorë.
Sepse një shtet pa drejtësi nuk mund të ekzistojë.
Por, siç duket, as drejtësia nuk mund të ekzistojë pa indeksim page.
Dhe tani mbetet vetëm një pyetje:
Kush do ta gjykojë kërkesën e gjyqtarëve?
Gjyqtarët.
Po kush do ta kontrollojë vendimin?
Gjyqtarë të tjerë.
Po nëse shteti nuk është dakord?
Të ankohet në gjykatë.
Dhe kështu rrethi mbyllet në mënyrë perfekte.
Në drejtësinë shqiptare mund të presësh njëzet vjet që të të kthejnë pronën.
Por kur drejtësia kërkon të rrisë rrogën e vet, çështja është krejt tjetër.
Sepse drejtësia mund të vonojë.
Rroga e saj — kurrë.
Dhe dua ta mbyll me një thënie të Shout, shkrimtar i njohur anglez; më pak dëm bëjnë 100 kriminelë të lirë, se një gjyqtar i keq…
Zoti Filip ,këtu vazhdon ende një pjerdhje e madhe institucionale qe ka filluar ne 1992 me politikën e zevendesimit te profesionisteve te shkolluar me lloj lloj burgaxhiu ,roje kooperative dhe xhenerik pompisti qe mbanin dy gishtat lart.Këto qe po na shohim sytë nëpër institucione jane rezultat I këtij m@ti te madh qe kane bere burrështetasit tane te nderuar vit pas viti.
Bravo Filip Cakulli! Ketij populli i duheni ju si President. Kjo sepse Shteti/Drejtesia ka zene vendin e humoristit dhe ju ne pension po i dilni per Zot popullit fukara.
Fute brenda → heto → kërko → kërko prapë → shty afatin → ndoshta del ndonjë provë.
I dolia rakia ketij “njeriu “ me koke derri,,mbrema inaguroje::lokalin e ri te Lluces ne Fier,,oashte dhi ne breke nga makaronat me pesshke nga bisnesmanky,Lluca
Ka edhe nje paradoks akoma me te madhe. Kryetari i qeverise ankohet ne media sociale se gjyqtaret duan ti fusin duart ne buxhetin e shtetit. Nuk e di nese ky kryetari i qeverise i njeh kopetencat e veta? Eshte edhe kryetar i PS me 83 mandate deputeti ne parlament, por edhe 93 nese do. Kujt i ankohet ky? Edhe nese ky qenka kaq i pafuqishem saqe i ka ngel te protestoj ne media sociale (mund te dal edhe ne shesh dhe ky se ca nuk ndodh) po njeriut te thjesht cfare i ngelet te bej? Apo perseri plumb gjyqtarit, por edhe kjo nuk fuksionon se plumbi ze ate gjyqtarin me biciklete ndersa keta qe duan rroga 10 mij eurosh i mbron qeveria me garde. Eshte pak e rende per ju pishtaret e demokracise si puna jote o Filip dhe shoku tend te penes Mero qe i keni qejf keto perrallat me komunizem ti perjetoni keto. Para 35 vjeteve problem ishin ligjet e mallkuara, sot jane njerezit e mallkuar. Si thoshte xhaxhi "kapitali me i cmuar jane njerezit " meqe i ke qejf keto theniet.
Keta te DREJTESISE Saliu e Edvini i kane perzgjedhur te korruptuar dhe te kapur. Te korruptuarit nuk mund te luftojne te korruptuar it! Kaq.
Filip Çakulli, nje shpirt i lire, mendje hapur, i taletuar, me nje sarkazem te hidhur, humor dhe parimor. Vazhdo shkruaj, njerzit normale kane nevoje per fladin plot arome qe ti percjell...
A po gjykon drejtësia çështjen e vet? Jo në kuptimin e njëanshëm apo të ndaluar. Gjykata Kushtetuese ka sanksionuar "Parimin e Domosdoshmërisë" (Rule of Necessity). Nëse do të aplikohej rregulli klasik i konfliktit të interesit (ku një gjyqtar largohet sepse çështja prek interesat e tij), atëherë asnjë gjykatë në vend nuk do të mund të shqyrtonte ligjet që prekin pagat, pensionet apo statusin e vetë gjyqtarëve. Kjo do të çonte në një bllokim institucional të shtetit të së drejtës. Prandaj, kur një çështje prek të gjithë trupën gjyqësore, gjykata ka detyrimin kushtetues ta shqyrtojë atë, pasi nuk ka asnjë forum tjetër që mund ta bëjë këtë. Neni 138 i Kushtetutës parashikon se paga dhe përfitimet e gjyqtarëve nuk mund të ulen. Gjykata Kushtetuese e ka interpretuar këtë gjerësisht: paga nuk është thjesht një e drejtë kontraktuale pune, por një instrument i pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Ajo duhet të jetë në përpjesëtim me dinjitetin e funksionit dhe e mbrojtur nga ndryshimet e tregut apo inflacioni. Gjykata pranoi konceptin e një “uljeje të fshehtë”, duke marrë në konsideratë inflacionin, rritjen e pagave të administratës, rritjen ekonomike dhe raportin relativ të pagës së magjistratit me kategori të tjera. Vetë Gjykata shprehet se paga mund të pësojë një ulje reale edhe kur shuma nominale nuk është ulur. Kur Kuvendi refuzon ose neglizhon të përditësojë apo të indeksojë pagat sipas vendimeve kushtetuese, ky mosveprim konsiderohet cenim indirekt i kësaj pavarësie. A ka marrë KLGJ kompetencat e Kuvendit? (Kompetenca për administrimin e pagave). Kjo është pikëpyetja kryesore juridike. Sipas Kushtetutës dhe Ligjit nr. 115/2016 "Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë", Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka kompetencë të plotë për administrimin e buxhetit dhe menaxhimin e burimeve njerëzore e financiare të gjyqësorit, por brenda kufijve të ligjit të miratuar nga Kuvendi.Kuvendi ka kompetencën ekskluzive për të miratuar ligjin e buxhetit dhe strukturën e pagave (pushteti legjislativ).KLGJ administron fondet dhe zbaton skemën e pagave për gjyqtarët dhe administratën gjyqësore.Në situatat kur Kuvendi nuk reflekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese për pagat, lind një ngërç: A mundet KLGJ-ja të caktojë apo të ekzekutojë pagat e reja duke u bazuar direkt në vendimin e Gjykatës Kushtetuese? Në parim, vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqinë e ligjit dhe janë të detyrueshme për zbatim. Nëse KLGJ ka ndërhyrë për të rregulluar efektet financiare, kjo shihet si një masë emergjente për të mbrojtur funksionimin e sistemit ndaj mosveprimit të Kuvendit, dhe jo si marrje e kompetencës legjislative. Kushtetuta nuk mund të mbetet peng e ngërçeve buxhetore apo politike. _________________________________________ P.S: Blaise Pascal ishte filozof, mendimtar francez, por nuk ishte jurist. Ai mendonte se njeriu nuk mund ta kuptojë plotësisht veten vetëm nga bota materiale; te Zoti gjendet kuptimi përfundimtar i natyrës njerëzore. Por filozofë të tjerë si Niçja apo Epikuri kanë thënë ndryshe. _______________________________________ Dallimi midis juristit dhe filozofit: Juristi merret me faktet, provat dhe të vërtetën juridike. Filozofi merret me kuptimin, parimet dhe të vërtetën në kuptimin më të gjerë.Juristi pyet: Çfarë ka ndodhur? Çfarë mund të provohet? Çfarë thotë ligji? Filozofi pyet: Çfarë është e vërteta? Çfarë është drejtësia? Çfarë është e mira? Pse duhet ta quajmë diçka të drejtë ose të padrejtë? ____________________________ A është Zoti i gatshëm të parandalojë të keqen, por jo i aftë? Atëherë ai nuk është i gjithëpushtetshëm. A është i aftë, por jo i gatshëm? Atëherë ai është keqdashës. A është ai edhe i aftë edhe i gatshëm? Atëherë nga vjen e keqja? A nuk është as i aftë dhe as i gatshëm? Atëherë pse ta quajmë Zot? (EPIKUR)
https://pamfleti.net/politike/fare-kerkon-edi-rama-nga-sherri-me-gjyqesorin-i352502
Ku ishe ti Lipe Shtogu (Caklli) kur Rama rrit e ster-rrit pagat e ministreve te tij e madje te kryeministrit kur te dale ne pension...apo poshte mollaqeve te Rames e nuk pate mundesi respirimi?