Nga Boldnews.al
Kryetari i arrestuar i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përballet sërish këtë të Martë me Gjykatën e Lartë, në tentativën e tretë për t’u liruar nga qelia, ku qëndron prej Shkurtit 2025.
Javët që paraprinë këtë seancë janë karakterizuar nga një fushatë agresive mediatike, disa të iniciuara nga studioja amerikane e lobimit, e kontraktuar zyrtarisht nga familja Veliaj dhe, pjesa më e madhe, nga një shumicë mediumesh shqiptare, të lidhura ngushtë me interesat e Bashkisë së Tiranës.
Fushata-lobimi
Narrativa e kësaj fushate mbështetet në një fakt kryesor-Veliaj, një person i zgjedhur, po mbahet në burg, ndërkohë që punët publike në territorin e Bashkisë së Tiranës, po shkojnë keq e më keq për shkak të mungesës së kryetarit.
Ky skenar synon gjithnjë të bashkojë individin me pozicionin publik-pra, mungesa e individit, cënon rëndë interesat publike.
E gjithë fushata ka tentuar të shmangë, sa të mundet, faktorin kryesor se përse Erion Veliaj është në paraburgim. Ai akuzohet zyrtarisht për 9 episode të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të zgjedhur”, për “pastrim të produkteve të veprës penale-pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”.
Të gjitha këto akuza janë të lidhura me ushtrimin e detyrës. Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka krijuar bindjen, e bazuar në prova, se Erion Veliaj ka kanalizuar qindra mijëra euro të Bashkisë së Tiranës në llogaritë e familjes së tij.
Në tablonë e përgjithshme, ka një grup të lobuar që argumenton se Veliaj duhet të jetë në detyrë, për të mirën e përbashkët. Nga ana tjetër, është Prokuroria e Posaçme, që është e bindur se Veliaj, pikërisht gjatë kryerjes të detyrës, ka kryer vepra të rënda penale, për të cilat rrezikon deri në 15 vjet burgim.
Gjykata e Lartë vlerëson provat
Gjithësesi, Gjykata e Lartë nuk është thirrur në apel për t’i dhënë zgjidhje dilemës nëse qëndrimi i Veliajt në paraburgim është më mirë apo më keq për Tiranën.
Trupa gjykuese duhet të shqyrtojë pikërisht kushtet dhe kriteret e masës së sigurimit. Më herët, Gjykata e Lartë, në tetor 2025 dhe maj 2026, ka vendosur se ai duhet të qëndrojë në paraburgim, pasi mund të tjetërsojë provat e faktet dhe mund të përdorë pushtetin e tij për të ushtruar ndikim mbi dëshmitarët.
Gjykata Kushtetuese, e investuar nga avokatët e Veliaj, vendosi në Korrik 2026 që çështja e masës së sigurimit ndaj tij duhet të rishqyrtohej në Gjykatën e Lartë.
Në vendimin që ndau gjyqtarët kushtetuese, shumica prej tyre dha qëndrimin se “Gjykata e Lartë nuk kishte respektuar standardin kushtetues për arsyetimin e plotë të vendimit”.
Për gjyqtarët kushtetues, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë nuk kishte ezaruar të gjithë argumentat se përse Veliaj duhet të qëndronte në paraburgim. Një çështje teknikalitetesh proceduriale, të cilat tashmë rimerren sërish në shqyrtim nga gjyqtarët e lartë.
Në frymën e ligjit procedurial penal, Gjykata e Lartë duhet të shqyrtojë pikërisht teknikalitetet, siç ndodh rëmdon për këdo individ të arrestuar për kryerjen e veprave të ndryshme penale.
A mund të intimidojë Veliaj dëshmitarët?
Prokuroria e Posaçme është e bindur që Erion Veliaj, për shkak të pushteti të tij politik, ka mundësi shumë të mëdha për të intimiduar dëshmitarët. Provat e paraqitura deri më tani tregojnë se Veliaj dhe njerëzit e tij të afërt (ish-deputetja Klotilda Bushka), kanë ushtruar ndikim negative mbi punonjësit e Byrosë Kombëtare të Hetimit apo tek një dëshmitare e prokurorisë.
Përtej këtyre, Veliaj ka treguar aftësinë e tij të lartë për denigruar dhe tentativës për të deligjitimuar një nga dy prokurorët e çështjes, Ols Dado, me artikujt mediatikë apo edhe me padi gjyqësore.
Një fushatë ekstremisht e egër u zhvillua në mediat pranë Veliajt kundër prokurorit Dado. Fillimisht, e akuzuan (publikisht) se Dado e nisi hetimin për shkak të një inati personal, pasi Veliaj nuk i kishte dhënë leje ndërtimi. Një pretendim, i cili deri më tani, nuk ka rezultuar i vërtetë.
Gjithashtu, Veliaj nisi një proces gjyqësor administrative, ku kërkon shkarkimin e Dados, pasi në vlerësimin e tij, ai është emëruar prokuror në kundërshtim me ligjin. Deri më tani, kjo tentativë e Veliajt ka rezultuar e dështuar. Megjithëse, edhe nëse do të rezultonte e suksesshme, kjo nuk mund ta ndihmonte përballë akuzave penale. Do të ikte Dado dhe do të vinte dikush tjetër që do ta kishte përballë në sallën e Gjykatës Anti-Korrupsion.
A mund të prishë provat?
Prokuroria e Posaçme është e bindur se rikthimi i Veliajt në zyrën e Bashkisë mund të cënojë rëndë procesin gjyqësor dhe provat e mbledhura gjatë hetimit. Avokatët e kryebashkiakut mbështesin idenë se Veliaj nuk mund të cënojë asnjë provë të pretenduar, pasi ato janë marrë tashmë nga SPAK-u gjatë procesit hetimor.
Ky argument nuk qëndron tërësisht. Për gjykatën, provat vlerësohen vetëm në sallën gjyqësore. Në një rast hipotetik, nëse Veliaj rikthehet në zyrë dhe tjetërson provat, atëherë gjithçka kthehet në nul.
A mund të kryejë një vepër penale të njëjtë apo më të rëndë?
Prokuroria e Posaçme thotë se Veliaj, për shkak të fuqisë së pushtetit të tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës, ka potencialisht mundësi të mëdha për të kryer, më së paku, të njëjtat vepra penale.
Gjykata e Lartë është thirrur për t’u dhënë përgjigje të arsyetuara këtyre pyetje. Nuk është në tagrin e kësaj gjykate që të jap vlerësimin nëse Tirana është më mirë apo më keq pas arrestimit të Erion Veliaj.
Përgjigja e kësaj pyetjeje është e natyrës politike. Gjykata e Lartë, as nuk zgjedh dhe as nuk shkarkon kryetarët e bashkisë. Kolegji i Gjykatës së Lartë është thirrur për të vlerësuar nëse individi Erion Veliaj, i akuzuar për disa vepra penale, duhet të qëndrojë nën masën “arrest në burg”.














