web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

SKANDALI/ Pasiguri ushqimore në Shqipëri, inspektorët lejojnë produkte me pesticide

14 Shtator 2026, 13:46, Denoncim CNA

SKANDALI/ Pasiguri ushqimore në Shqipëri, inspektorët

Siguria ushqimore në Shqipëri ka shfaqur ndër vite problematika nga më të ndryshmet.

Pavarësisht kontrolleve dhe së ashtuquajturës luftë kundër pasigurisë ushqimore, rastet nuk mungojnë. 

Për të mos harruar se siguria ushqimore konsiderohet si një ndër shtyllat kryesore të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian, të përcaktuar qartazi përmes Kapitullit 12 për Politikat për Sigurinë Ushqimore, Çështjet Veterinare dhe Fitosanitare.

Mirëpo pavarësisht kontrolleve, reformave dhe nismave të ndryshme në këtë fushë, shkeljet e sigurisë ushqimore në vend vijojnë të ndodhin.

Një rast i tillë është edhe një denoncim që ka mbërritur në redaksinë e CNA, përmes të cilit pretendohet se dy inspektore të Autoritetit të Kontrollit Ushqimor, shtetaset I.A. dhe A.H., kanë lejuar qarkullimin në treg të një sasie perimesh importi të konservuara me prani mbi normën e lejuar të përmbajtjes së pesticideve.

Qendra Alert ka ngritur shqetësimin për rastin dhe ka paralajmëruar që më datë 16 shkurt të këtij viti se një sasi produkti me “Konservë bimore-turshi” ka qarkulluar në tregun shqiptar pavarësisht përbërjes së rrezikshme për shëndetin e qytetarëve.

10 ditë më vonë, përmes një akt konstatimi, AKU ka nisur një hetim administrativ lidhur me pretendimet e publikuara nga Alert, për përmbajtje pesticidesh mbi normën e lejuar dhe pesticide të ndaluara.

Pas informimit mbi rastin, CNA ka mundur të sigurojë detaje nga hetimi i çështjes, sipas të cilave, inspektorja I.A., nuk ka kryer detyrën dhe nuk ka kryer monitorimin e rregullt të sasisë me turshi importi si dhe nuk ka hartuar as dokumentin përfundimtar mbi procesin e punës, me justifikimin se procesi i marrjes së mostrave të produktit ushqimor ishte ende në proces.

Ky nuk është rasti i parë që inspektorja vepron në kundërshtim të hapur me rregulloren për kontrollin ushqimor, pasi ndaj saj janë ndërmarrë edhe më herët masa disiplinore në disa raste, për produkte të orizit, misrit në Shkodër, salmonelës në fileto pule, e të tjera. Ndërsa e motra, A. A., zhvillon prej vitesh një biznes për pajisjen me HACCP, për menaxhimin e sistemit parandalues të mbrojtjes ushqimore përmes rrjetit ushqimor.

Ky nuk është rasti i parë që inspektorja kapet në parregullsi, pasi bazuar në një dokument konfidencial të siguruar nga CNA, inspektorja I.A., ka qenë në disa raste pjesë e trupës monitoruese të disa produkteve të tjera ushqimore, ku është evidentuar se për disa lloje produktesh ka kryer inspektim jashtë programit, nuk ka mbajtur procesverbal për mangësitë e kushteve higjieno-sanitare të disa subjekteve, gjë që ka pamundësuar më tej pezullimin ose delistimin e subjekteve të caktuara, duke bërë që produktet e pasigurta të vijojnë të qarkullojnë në tregun vendas.

CNA ka mësuar se ndaj dy punonjëseve të AKU-së, Komisioni Disiplinor i Inspektoriatit të Përgjithshëm ka vendosur javën e kaluar shkarkimin e tyre nga detyra, ndërsa urdhri nuk është bërë ende publik.

Denoncimi nxjerr në pah jo vetëm një rast të mosushtrimit të detyrës sipas rregullave të punës, prevalimin e korrupsionit dhe klientelizmit, por ngre edhe pikëpyetje të shumta mbi veprimtarinë e institucioneve të cilave shqiptarët u kanë besuar sigurinë e ushqimit, që nuk plotëson as normat bazë e jo më t’u afrohet standardeve të BE-së./CNA





Lajmet e fundit nga