Më 16 shtator pritet të mbyllet një nga proceset më të rëndësishme që janë zhvilluar në Dhomat e Specializuara në Hagë. Pas më shumë se 230 ditësh seanca gjyqësore, trupi gjykues do të shpallë vendimin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.
Katër ish-drejtuesit e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa gjatë gjithë procesit janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Vendimi do të shpallet nga një trup gjykues i përbërë nga katër gjyqtarë ndërkombëtarë. 3 gjyqtarë kryesorë dhe 1 rezervë.
Në krye të trupit gjykues është gjyqtari amerikan Charles Smith III, i cili mban edhe rolin e kryesuesit të procesit.
Pjesë e panelit është edhe gjyqtari gjerman Christoph Barthe, i cili së bashku me kolegët e tij ka shqyrtuar provat dhe dëshmitë e paraqitura gjatë procesit gjyqësor.
Trupi gjykues përfshin gjithashtu gjyqtarin zviceran Guénaël Mettraux.
Gjyqtari irlandez Fergal Gaynor është gjithashtu pjesë e trupës gjykuese por si gjyqtar rezervë.
Gjyqtarët do të vendosin nëse Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi do të shpallen fajtorë apo të pafajshëm për akuzat e ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Shpallja e aktgjykimit është caktuar për të mërkurën, më 16 shtator, duke i dhënë fund procesit gjyqësor që zgjati 234 ditë.
LEXO EDHE: Gjykata e Hagës kërkon burg për Thaçin, 6 vite dënim për ish-presidentin e Kosovës
Ndërkohë, në Kosovë janë shtuar pritshmëritë ndaj vendimit. Profesori Enver Hasani tha për mediat se ishte optimist. “Jam optimist për aktgjykimin. Ndërmarrja e përbashkët kriminale nuk ka logjikë. Kosova do të dalë faqebardhë, si për arsye politike ashtu edhe juridike”, tha ai. Katër ish-drejtuesit e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.



