Trajneri i Interit, Kristian Kivu, ka kërkuar përqendrim maksimal nga skuadra përpara sfidës ndaj Udinezes, takim që do të luhet sot në orën 20:45 në Milano. Tekniku zikaltër vlerëson pozitivisht rrugëtimin e ekipit, pavarësisht humbjes së fundit ndaj Real Madridit në Champions League.
“Ne punojmë gjithmonë për t’u përmirësuar. Jam i kënaqur me rrugëtimin që po bëjmë dhe duam të vazhdojmë të rritemi. Nuk ishte e lehtë të luanim me këtë guxim në ‘Bernabeu’, vetëm tri ditë pas ndeshjes me Napolin”, tha trajneri. Sipas tij, rezultati ishte negativ, por paraqitja e Interit kishte shumë elementë pozitivë. Në lidhje me Champions League, Chivu pranoi se skuadra duhet të rrisë nivelin e saj.
“Në shtatë ndeshjet e fundit kemi humbur gjashtë dhe kemi fituar vetëm një. Ky është një tregues që duhet përmirësuar”, deklaroi ai.
Kivu theksoi se skuadra duhet të jetë gjithmonë në lartësinë e emrit të klubit. Ai gjithashtu hodhi poshtë diskutimet e vazhdueshme për sistemin me tre apo katër mbrojtës. “Në futboll rëndësi ka mënyra se si luan skuadra, jo moduli”, theksoi trajneri.
Për sfidën me Udinesen priten disa ndryshime në formacion për shkak të ngarkesës fizike. Kivu bëri të ditur se disa lojtarë të rikthyer nga Botërori nuk janë ende në gjendjen optimale. Dimarko është rikuperuar dhe është në dispozicion të skuadrës, ndërsa Spens vijon procesin e rikthimit atletik. Në sulm, dilema mbetet mes Turam dhe Pio Espozitos përkrah kapitenit Lautaro Martinez.
Trajneri foli pozitivisht edhe për rritjen e Diouf, duke theksuar se synimi është të luajë më gjatë me cilësi të lartë. “Jemi të lumtur me rritjen e tij dhe me mënyrën se si është vënë në dispozicion të skuadrës”, tha rumuni. Përballë Interit tani është Udineze:
“Ndeshjet përgatiten në të njëjtën mënyrë, duke qenë të vetëdijshëm se ata kanë forcë fizike dhe cilësi dhe mund të të vënë në vështirësi. Trajneri i tyre ka bërë një punë të madhe gjatë këtyre viteve dhe ka treguar se mund t’u krijojë probleme kundërshtarëve, pavarësisht se ka ndryshuar shumë lojtarë”, deklaroi Kristian Kivu gjatë konferencës.