Shkakton aksident i dehur në timon, djali i Paolo Maldinit në telashe me ligjin

Daniel Maldini, futbollisti i Cagliarit dhe djali i legjendës së futbollit italian Paolo Maldini, është përfshirë në një aksident automobilistik në Milano, vetëm disa orë pasi kishte shënuar golin e fitores për skuadrën e tij ndaj Atalantës.
Aksidenti ndodhi rreth orës 05:15 të mëngjesit të së dielës, në veri të Milanos, ku Porsche Carrera e Maldinit u përplas me një automjet tjetër. Në total, gjashtë persona, përfshirë futbollistin 24-vjeçar, pësuan dëmtime të lehta. Maldini u dërgua në spital për kontrolle dhe më pas u la të largohej.
Pas aksidentit, policia i kreu Maldinit testin e alkoolit. Dy matjet e para treguan përkatësisht 0.91 dhe 0.89 gramë alkool për litër gjak, shifra dukshëm mbi limitin ligjor prej 0.5 g/l në Itali. Për pasojë, atij iu tërhoq patenta.
Raportimet italiane bëjnë gjithashtu me dije se Maldini iu nënshtrua një testi paraprak për substanca narkotike, ndërsa rezultatet përfundimtare të analizave pritet të dalin në ditët në vijim.
Në Itali, kjo shkelje parashikon deri në 2 vite pezullim të patentës.
Çështja tashmë është në duart e autoriteteve italiane, të cilat do të përcaktojnë pasojat e mëtejshme ligjore për futbollistin.




