14 Shtator 2026, 14:30
Nga G.M
Oficerë të policisë ruse shtyjnë një adoleshent gjatë një proteste në Shën Petersburg. (Fotografi nga arkivi)
Vitalina Prening, një nxënëse 16-vjeçare ruse, përballet me aktakuzë për planifikimin e një sulmi terrorist, anëtarësim në një organizatë terroriste dhe kryerjen e trajnimeve terroriste, sipas mediave ruse.
Prening, nga qyteti i Novosibirskut, u fut më 10 gusht në listën e njerëzve që Rusia i cilëson terroristë, ndonëse hollësitë e aktakuzës ndaj saj mbeten të paqarta.
Në rrjetet sociale, personat që e njohin Preningun e kanë përshkruar atë si një vajzë të re të talentuar, e cila vizatonte, këndonte, merrej me vallëzim sportiv dhe merrte pjesë në aktivitete publike të sponsorizuara nga shteti.
Prening nuk është e vetmja.
Qindra adoleshentë rusë janë akuzuar për terrorizëm, sabotazh, ekstremizëm ose tradhti qëkurse Moska e nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022.
Aktivistët për të drejtat e njeriut thonë se arrestimi dhe burgosja e adoleshentëve është pjesë e një fushate që po rritet për ta luftuar mospajtimin gjatë kohës së luftës.
“Veprimtari shumë më e madhe shtypëse”
Department One, një organizatë ligjore dhe për të drejtat e njeriut me bazë në mërgim, e cila mbron rusët e akuzuar për tradhti dhe spiunazh, tha në një raport të korrikut se të paktën 779 të mitur ndodhen në regjistrin e Rusisë për terroristët dhe ekstremistët. Gati 97 për qind e tyre janë shtuar në këtë listë pas vitit 2022.
Lista nuk përfshin vetëm personat që janë dënuar për vepra penale, por edhe persona të cilët zyrtarisht janë shpallur të dyshuar ose ndaj të cilëve janë ngritur akuza aktive.
Organizata për të drejtat e njeriut, Memorial, tha se të paktën 124 të mitur aktualisht përballen me akuza penale në Rusi për arsye politike. Grupet për të drejtat e njeriut thonë se një numër në rritje i të miturve po ndiqen penalisht në bazë të ligjeve të diskutueshme për terrorizmin dhe ekstremizmin, ndërsa gjykimet zhvillohen shpesh me dyer të mbyllura.
Rastet variojnë nga aktivizmi kundër luftës dhe kritikat ndaj autoriteteve në internet, deri te akuzat se adoleshentët janë rekrutuar nga shërbimet e inteligjencës ukrainase përmes rrjeteve sociale për të kryer akte sabotimi dhe terrorizmi në territorin rus. Sergei Davidis, drejtues i projektit të Memorialit për mbështetjen e të burgosurve politikë, i tha REL-it se lufta e ka rritur shtypjen politike në Rusi.
“Shteti shfaq veprimtari shumë më të madhe shtypëse në gjendje lufte”, tha Davidis.
Arrestimi për shpërndarje fletushkash
Në mesin e të miturve që janë përfshirë në këtë fushatë është Arseny Turbin, i cili ishte 15 vjeç kur u arrestua në vitin 2023.
Turbin kishte shpërndarë fletushka ku kritikonte presidentin Vladimir Putin, kishte krijuar një kanal në Telegram të quajtur “Rusia e Lirë” dhe kishte publikuar fotografi të tij me një flamur bardhë-blu-bardhë, të përdorur nga protestuesit rusë kundër luftës. Nëna e tij, Irina Turbina, tha se i biri u kishte thënë hapur hetuesve se besonte se Rusia ishte agresore në luftë.
Në vitin 2024, një gjykatë ruse e dënoi Turbinin me pesë vjet burgim, gjatë një gjykimi me dyer të mbyllura. Dy vjet më vonë, autoritetet hapën një tjetër rast ndaj adoleshentit, duke e akuzuar atë për pjesëmarrje në trazira në koloninë e vuajtjes së dënimit ku mbahej.
Adoleshenti më i ri që aktualisht besohet se ndodhet në regjistrin e Rusisë për terroristët dhe ekstremistët është Ivan Maltsev, 14 vjeç, i cili u akuzua se kishte tentuar t’ia vinte zjarrin një makine policie. Babai i tij i ka mohuar akuzat ndaj të birit. Maltsev, banor i qytetit siberian Barnaul, mbushi 14 vjeç në qershor, mosha minimale e përgjegjësisë penale në Rusi për vepra të rënda penale, përfshirë terrorizmin.
“Atmosferë frike”
Aktivistët për të drejtat e njeriut i kanë akuzuar agjencitë ruse të sigurisë se përdorin taktika provokuese ndaj të miturve.
“Ata i shtyjnë të rinjtë të krijojnë një lloj grupi, të shkruajnë deklarata të ashpra, i provokojnë; për shembull, shkruajnë diçka në komente, në mënyrë që ju praktikisht të detyroheni të përgjigjeni”, i tha REL-it Dmitry Zair-Bek, drejtues i Department One.
Zair-Bek tha se zyrtarët e sigurisë më pas do t’i “drejtonin” të rinjtë e cenueshëm drejt kryerjes së një akti që mund të përkufizohej zyrtarisht si vepër penale, duke u mundësuar operativëve të hapnin një rast penal ndaj tyre.
“Ajo që është monstruoze është se fëmijët dhe adoleshentët po përndiqen për gjëra për të cilat nuk duhet të përndiqeshin fare”, tha Zair-Bek, duke përmendur “shakatë e pamenduara” në rrjetet sociale, mesazhet në forumet e shkollave dhe diskutimet në lojërat kompjuterike.
Olga Romanova, drejtuesja e grupit për të drejtat civile Russia Behind Bars, i tha REL-it se fshehtësia që rrethon rastet e terrorizmit u mundëson agjencive ruse të sigurisë të rrisin shkallën e dënimeve.
“Rastet e terrorizmit, hetimet dhe gjykimet janë plotësisht të mbyllura”, tha Romanova. “Thuhet se bëhet fjalë për informacion të klasifikuar, ndaj nuk ka nevojë të provohet asgjë”.
Zair-Bek tha se numri në rritje i rasteve shërben edhe për një qëllim më të gjerë: krijimin e një klime frike.
“E gjithë atmosfera e frikës që krijohet, përfshirë edhe përmes hapjes masive të rasteve për terrorizëm dhe ekstremizëm, lidhet me faktin se shtypja funksionon në kohën tonë, në shekullin XXI, vetëm kur ai vazhdimisht rritet”, tha ai./REL
rusi
Bota
14 Shtator 2026, 12:14
E.d
Nënshkrimi i memorandumit për bashkëpunim mes Kinës dhe Serbisë në fushën e inteligjencës artificiale
E ardhmja e ...
Bota
14 Shtator 2026, 09:17
E.d
Foto ilustruse
Për ukrainasit, lufta ajrore e Rusisë është prej vitesh një realitet i përgjakshëm dhe i hidhur...
Bota
14 Shtator 2026, 09:05
E.d
Pamje
TURQI- Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në Turqi, ku një autobus është përplasur me barrierat e pages&e...
Bota
14 Shtator 2026, 08:56
E.d
Donald Trump
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka bërë thirrje presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, që t’...
Bota
14 Shtator 2026, 08:38
E.d
Pamje
MEKSIKA- Rreth 10,000 njerëz demonstruan të dielën në Culiacan të Meksikës, duke bërë thirrje për paqe d...
Bota
14 Shtator 2026, 08:32
E.d
Foto ilustruse
ARABIA SAUDITE- Çmimet e naftës e nisën javën me rritje, mes armiqësive në Lindjen e Mesme, pas mbyllje...
Bota
14 Shtator 2026, 07:53
E.d
Foto ilustruse
Berlini, një qytet-land me 3,9 milionë banorë , njihet për larminë e tij, por është edhe mjaft i cop...
Bota
14 Shtator 2026, 07:46
E.d
Foto ilustruse
Një dron rus goditi një tren pasagjerësh që udhëtonte midis Kievit dhe Varshavës në Ukrainë. Sipas n...
Bota
14 Shtator 2026, 07:21
E.d
Foto ilustruse
RUSI- Qeveritë dhe bankat qendrore zakonisht këmbëngulin se duan një monedhë të fortë. Por jo Rusia, t&eu...
Bota
13 Shtator 2026, 22:14
E.d
Donald Trump
SHBA- Presidenti amerikan, Donald Trump ka kritikuar ata që kërkojnë ngadalësimin e zhvillimit të inteligjenc&eu...