Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike, Lili Sula, uroi nxënësit, mësuesit dhe prindërit për nisjen e vitit të ri shkollor, por njëkohësisht ngriti shqetësime të forta për gjendjen e arsimit në vend.
Në një deklaratë për mediat, Sula tha se Partia Demokratike mbështet kërkesat e sindikatave të arsimit për sigurinë e vendit të punës së mësuesve, sigurinë juridike dhe ekonomike të tyre, si dhe kundërshtimin e politizimit të sistemit arsimor.
Ajo nënvizon se viti i ri shkollor filloi me të paktën katër mashtrime dhe projekte propagandistike nga qeveria – ndërsa shqiptarët në muajin e katërt në protestë kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama për shkak të politikave antikombëtare dhe gjendjes rrënuese të arsimit.
Ajo kritikoi gjithashtu projektin “Smart City”, duke e cilësuar si një formë survejimi të fëmijëve në shkolla, ndërsa programin “Pas shkolle” e quajti të dështuar për shkak të mungesës së kushteve, mensave dhe infrastrukturës së nevojshme për qëndrimin e nxënësve pas orarit mësimor.
Deklarata e anëtares së kryesisë së PD, Lili Sula:
Në emër të Partisë Demokratike, urime të përzemërta dhe suksese fëmijëve që sot ulen për herë të parë në bankat e shkollës, dhe të gjithë nxënësve që nisin një vit të ri shkollor!
Mirënjohje të veçantë për mësuesit, të cilët çdo ditë, me përkushtimin e misionit të tyre fisnik, ndihmojnë në formimin e brezave dhe në ndërtimin e së ardhmes së kombit.
Partia Demokratike përshëndet dhe mbështet plotësisht thirrjet dhe kërkesat publike të shprehura në deklaratën e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shqiptar dhe deklaratën e Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë për të gjitha çështjet e parashtruara lidhur me gjendjen e rëndë të arsimit shqiptar: mbi pasigurinë e vendit të punës së mësuesit, pasigurinë juridike dhe ekonomike të mësuesve, politizimin e arsimit dhe të rezultateve ndërkombëtare PISA.
Ky vit shkollor fillon me të paktën katër mashtrime dhe projekte propagandistike nga qeveria – ndërsa shqiptarët në muajin e katërt në protestë kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama për shkak të politikave antikombëtare dhe gjendjes rrënuese të arsimit:
-Manipulimin e rezultateve të testimit PISA 2025 – duke i dhënë nxënësve mësimin më të shëmtuar në prag të nisjes së shkollës që të gënjejnë dhe mashtrojnë, siç bënë kreu i qeverisë dhe ministrja e arsimit.
– Survejimin e fëmijëve në shkolla si pjesë e projektit Smart City, në shkelje të ligjeve të vendit dhe të disa ligjeve dhe konventave ndërkombëtare, si dhe duke dhunuar liritë e individit që janë parakusht themelet për rritjen dhe arsimimin e nxënësve.
-Projektin e dështuar ‘Pas shkolle’ që propangandon qëndrim më të gjatë në shkollë për fëmijët dhe orë mësimi që të lehtësojë prindërit, por ndërkohë nuk përmendet asnjëherë ngrënia e fëmijëve, kuzhinat, mensat apo kushtet higjienike, të cilat nuk përmbushin asnjë standard që nxënësit të qëndrojnë në shkollë.
– Qeveria mashtron mësuesit dhe qytetarët për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në shkolla sipas dokumentit të publikuar para pak ditësh, sepse nuk u ka siguruar shkollave infrastrukturë digjitale, lënda e TIK -ut nuk zhvillohet dhe as që ka marrë mundimin të bëjë trajnime për mësuesit.
Më dramatik është fakti se shkollat janë boshatisur apo mbyllur nga keqqeverisja e E. Ramës që ka shpopulluar vendin duke larguar mijëra familje e mijëra nxënës.
Në këtë ditë të parë të vitit shkollor, Partia Demokratike zotohet se në krye të qeverisë do të rikthejë arsimin si prioritet kombëtar, duke e nxjerrë arsimin nga rekordet që e listojnë në fund të botës dhe do t’i kthejë dinjitetin dhe statusin që meriton mësuesit.
© SYRI.net
SYRI TV/ Sterilizimi/ Lufta brenda qeverisë e hapur, tenderi u fitua pa garë nga 'Diaverum'
Blushi: S'është problem paga e gjyqtarit, por korrupsioni dhe 16 miliardë euro që s’futen në buxhet
A do mbushet bregdeti i Semanit me parqe foto voltaike? Subashi i Fierit hap 5 tendera për dhënie me qira të 391 mijë m2 tokë