Baba Medin Gllava: Kleriku bektashi që e ktheu teqenë në shkollë dhe repart për strehimin e çetës së tij patriotike.

14 Shtator 2026, 15:04Dossier Nga Feti ZENELI

 


Baba Medin Gllava: Kleriku bektashi që e ktheu teqenë në

Baba Medin Gllava
 
Ka libra që koha nuk arrin t’i pluhurosë. Mund t’u zverdhen fletët, t’u venitet boja nga përdorimi i gjatë dhe të harrohen duart që i kanë shfletuar për herë të parë, por ata nuk mund të konsiderohen të vjetëruar. Përkundrazi, sa më shumë vite kalojnë, aq më tepër shndërrohen në dëshmi. Sepse në faqet e librave të tillë nuk gjenden vetëm fjalët, por edhe fryma e njerëzve, zëri i vendeve dhe gjurma e ngjarjeve që kanë kapërcyer kohën e tyre. Janë libra që nuk lexohen vetëm me sy, por edhe me kujtesë. Një prej tyre është Abetarja e Sami Frashërit. Dhe një prej vendeve ku ajo mori jetë, u bë mjet dijeje dhe u kthye në një pishtar të vogël në errësirën e kohës, ishte teqeja e Gllavës, në ditët kur aty shërbente Baba Medini.
Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, në librin e tij “Baba Medin Gllava”, sjell kujtimet e Abdulla Faqekuqit, sipas të cilit teqeja e Gllavës u kthye në shkollë nga Baba Medini. Aty, mysafirë, pjesëtarë të teqesë dhe banorë të zonës mësonin shqip me këtë abetare. Ishte një skenë e thjeshtë, thuajse pa zhurmë, por historia shpesh i fsheh kthesat e saj më të mëdha pikërisht në skena të tilla. Një abetare mbi një sofër, një dorë që ndjek shkronjat dhe disa njerëz që përpiqen të lexojnë në gjuhën e tyre mund të duken si një pamje e zakonshme. Por pas saj po lëvizte një histori e tërë. Teqeja do t’i vijonte përpjekjet e saj me pushkë e penë edhe në vitet 1912 - 1914, kur Pavarësia e saposhpallur e Shqipërisë do të hynte në vitet e para të jetës së saj, mes pasigurive, kërcënimeve dhe përpjekjeve të shumta për të penguar konsolidimin e shtetit të ri shqiptar. Pas shpalljes së Pavarësisë, rrethanat u bënë edhe më të ndërlikuara. Shteti i sapokrijuar përballej me mungesën e një administrate të konsoliduar, me pretendime territoriale, trazira të brendshme dhe ndërhyrje nga jashtë. Në këtë klimë të trazuar, përpjekja për arsimin dhe kulturën shqipe u lidh gjithnjë e më fort me nevojën për të mbrojtur vetë shtetin shqiptar. Pikërisht këtu merr kuptim lufta e Baba Medinit dhe e çetës së tij kundër forcave rebele të Haxhi Qamilit.
Në pamje të parë, nuk ka ndonjë dramë të madhe për t’u luajtur në këtë skenë. Por historia e kombeve rrallëherë fillon me krismën e pushkëve. Shpesh ajo lind në heshtje, në një dhomë të vogël, pranë një llambe, mbi një fletë të bardhë. Ajo fillon aty ku një njeri vendos t’i mësojë një tjetri një shkronjë, një fjalë, një emër. Në rastin konkret kemi një teqe, një grup njerëzish, një abetare dhe dikë që u mëson të tjerëve gjuhën shqipe. Abetarja e Sami Frashërit mund të dukej e vogël përballë defterëve të Perandorisë Osmane, por pikërisht ajo i jepte popullit tonë mjetin me të cilin do të shkruante gjuhën dhe, bashkë me të, edhe të ardhmen e vet. Gjuha, për shqiptarët e asaj kohe, nuk ishte thjesht mjet komunikimi. Ishte kujtesë, identitet dhe një armë e heshtur. Nuk bënte zhurmë si pushka, por depërtonte më thellë. Ajo hynte në shtëpi, në mendje dhe në zemrën e brezave. Dhe aty ku pushteti mund të kontrollonte territorin, gjuhën duhej ta ruante vetëdija.
Kjo i bënte ambientet e teqesë së Gllavës shumë më të mëdha se muret e saj. Gurët dhe balta përbënin vetëm kufirin fizik të objektit; brenda tyre po hapej një hapësirë tjetër, pa mure e pa kufij: hapësira e fjalës, e dijes dhe e ndërgjegjes. Në një kohë kur Shqipëria ende nuk ishte një realitet shtetëror i konsoliduar, aty po ndërtohej diçka që nuk kishte nevojë për kufij territorialë: vetëdija kombëtare. Teqeja nuk ishte më vetëm një vend lutjeje, besimi e prehjeje shpirtërore. Ajo ishte bërë edhe një vatër ku mësohej shqip, ku qarkullonte libri dhe ku zgjohej një mentalitet i ri. Ndaj, Abetarja e Sami Frashërit, që përdorej aty për mësimin e gjuhës, nuk ishte vetëm një tekst shkollor. Ajo ishte pika e parë e një zinxhiri të madh: libri sillte dijen, dija zgjonte vetëdijen, ndërsa vetëdija kërkonte lirinë dhe mbrojtjen e saj. Në këto kushte, abetarja dhe pushka nuk ishin dy gjëra të ndryshme apo dy botë të kundërta. Ishin dy armë në dukje të ndryshme, por qëllimi i përdorimit, i njëjtë; në interes të Shqipërisë.
Prandaj shprehja në titullin e këtij shkrimi, “Kur’hani patriotik i Baba Medin Gllavës”, merr një kuptim të veçantë, nëse trajtohet si metaforë dhe jo si krahasim teologjik. Ajo përpiqet të shprehë vendin që abetarja zinte në botën e tij shpirtërore e kombëtare: një libër i vogël në përmasa, por i madh në mision; një tekst që nuk i mësonte individit vetëm se si bashkohen shkronjat për të formuar fjalën, por edhe se si bashkohen mendja, vullneti dhe guximi për t’u bërë ballë rrethanave të kohës. Në këtë kuptim, abetarja nuk ishte vetëm libër i alfabetit. Ishte një udhë drejt vetëdijes. Ajo merrte atë që kishte jetuar me shekuj në gojën e njerëzve dhe përpiqej ta shkruante në faqe libri. Një fjalë e thënë mund të humbë në ajër; një fjalë e shkruar mbetet, udhëton dhe trashëgohet. Ajo kalon nga një shtëpi në tjetrën, nga një dorë në tjetrën, nga një brez në tjetrin. Shkrimi i jepte fjalës formë fizike, ndërsa libri i jepte përjetësi. Kësisoj, abetarja e Sami Frashërit në duart e Baba Medinit nuk ishte thjesht një tekst mësimor. Ajo ishte një çelës që hapte derën e gjuhës shqipe dhe, pas saj, një portë shumë më të madhe: portën e kujtesës, të kulturës dhe të vetëdijes kombëtare.
Në një kohë kur padija ishte një nga terrenet më pjellore të sundimit, alfabeti shqip kishte fuqinë e një drite të ndezur në një dhomë të errët. Pushka mund të mbronte një prag; libri mbronte atë që ndodhte përtej pragut dhe që syri nuk mund ta shihte: botën që formohej në mendjen e njeriut. Njëra mbronte fizikisht; tjetra mbronte ndërgjegjen. Njëra mund të ndalte një sulm; tjetra mund të ndalte harresën. Dhe një komb mund të humbë përkohësisht shumëçka, por, nëse ruan gjuhën, kujtesën dhe dijen, ai ruan edhe farën e ringritjes e të mbijetesës.
Në pamje të parë, duket se kemi një skenë të thjeshtë: disa njerëz të mbledhur në një teqe dhe një abetare në duart e një babai bektashi, që u mëson atyre shqip. Por, po të shohim më thellë, aty shfaqet një nga betejat më të mëdha të historisë sonë: beteja për të mos humbur gjuhën, kujtesën dhe vetëdijen kombëtare. Në kushtet e asaj kohe, shkolla shqipe nuk ishte thjesht një institucion arsimor. Ajo ishte një nga fushat ku vendosej fati i identitetit kombëtar. T’u mësoje njerëzve të lexonin shqip do të thoshte t’u jepje mundësinë të mendonin në gjuhën e tyre, të njihnin historinë e tyre dhe ta ndienin veten pjesë të një bashkësie më të madhe. Prandaj, kur një teqe hapej ndaj abetares dhe librit shqip, ajo nuk po kryente vetëm një shërbim kulturor. Në kushtet e kohës, ajo po lartësohej në një betejë atdhetare, e cila nuk zhvillohej vetëm në sheshe e në male, por edhe në heshtjen e faqeve të një libri.
Kjo është arsyeja pse shprehja “Kur’hani atdhetar i Baba Medin Gllavës” nuk duhet kuptuar si krahasim fetar, por si metaforë për vendin që abetarja zinte në jetën e tij: një libër i vogël në përmasa, por i jashtëzakonshëm në mision; një libër që nuk ishte vetëm mjet për të mësuar shkronjat shqipe, por një udhërrëfyes drejt dijes, gjuhës dhe lirisë. Në duart e Baba Medinit, abetarja ishte një armë për të luftuar kundër injorancës, padijes dhe asaj trashëgimie të imponuar përmes dhunës pushtuese. Dhe në një kohë kur shqiptarëve u duhej të mbronin identitetin e tyre, kjo armë e heshtur kishte një forcë të jashtëzakonshme. Sepse pushtuesi mund të trembej nga pushka, por një komb që mësonte të lexonte dhe të shkruante në gjuhën e vet bëhej gjithnjë e më vitual, shumë vështirë për t’u zhdukur.
Historia e Rilindjes Kombëtare shqiptare nuk mund të kuptohet vetëm përmes kryengritjeve, çetave, pushkëve dhe betejave. Përpara se të ngrihej shteti, duhej të zgjohej ndërgjegjja e kombit. Përpara se shqiptarët të kërkonin lirinë politike, duhej të fitonin lirinë shpirtërore e kulturore. Dhe një nga rrugët kryesore drejt kësaj lirie ishte gjuha shqipe. Kjo shpjegon edhe arsyen përse arsimi shqip u bë çështje patriotike. Sepse shkolla në një farë mënyre i mësonte një populli të tërë të lexonte veten.
Në këtë kuptim duhet parë edhe roli i veprave të Sami Frashërit. Ai ka hyrë në historinë e kulturës shqiptare jo vetëm si ideolog, enciklopedist, përkthyes, erudit, filozof e sociolog, por edhe si pedagog e autor tekstesh shkollore. Tashmë janë të njohura idetë e tij për zhvillimin e arsimit kombëtar, hapjen e shkollave dhe deri te universitetet shqiptare që u shpalosën në veprën-program të Rilindjes Kombëtare “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe çdo të bëhet”. Samiu ishte një nga ato mendje që e kuptuan herët se një komb nuk mund të mbijetojë e të përparojë pa gjuhën e vet dhe pa një sistem të vetin të dijes. Përhapja e librave shqip, ngritja e shkollave, mësimi i gjuhës dhe krijimi i një kulture të shkruar ishin pjesë të së njëjtës betejë. Kështu, një abetare në një fshat të largët shqiptar mund të kishte një peshë politike shumë më të madhe nga sa mund të mendojmë sot. Ajo i mësonte banorit të atyshëm të shkruante e të lexonte emrin e vet në gjuhën amtare. Dhe kjo, në rrethanat e asaj kohe, ishte një akt identitar. Ishte sikur njeriu të merrte për herë të parë në duar një pasqyrë dhe të shihte në të jo vetëm fytyrën e vet, por edhe fytyrën e krejt kombit.
Në këtë sfond duhet kuptuar edhe veprimtaria e Baba Medin Gllavës. Teqeja ku ai ushtronte detyrën si klerik nuk ishte për të vetëm një institucion fetar. Ajo u bë një hapësirë ku takoheshin besimi, arsimi dhe atdhetaria. Burime të mëvonshme e paraqesin Baba Medinin si një figurë që i ndërthurte këto dimensione në mënyrë të pazakontë: baba i teqesë, mësues i gjuhës dhe prijës i çetës patriotike. Një botim për veprimtarinë e tij e përmbledh këtë figurë me një formulim domethënës: ai lëvizi “me pushkë në krah e abetaren në gji”. Kjo shprehje është më shumë se një metaforë letrare. Ajo përmbledh një filozofi të tërë veprimi. Prandaj teqeja e Gllavës u kthye në një lloj shkolle ku mësonin shqip mysafirë, pjesëtarë të teqesë dhe banorë të zonës, duke përdorur abetaren e Sami Frashërit. Kjo pamje është jashtëzakonisht domethënëse. Në njërën anë kemi teqenë, simbol të një tradite shpirtërore; në tjetrën, abetaren, simbol të dijes dhe të gjuhës. Në mes të tyre qëndron kleriku bektashi. Kësisoj shpërfaqet një nga kuptimet më të bukura të patriotizmit të tij: besimi nuk e pengon dijen; përkundrazi, dija bëhet pjesë e shërbimit ndaj atdheut.
Në vitet e Rilindjes dhe të shpalljes së Pavarësisë, ideja “Me pushkë e penë” nuk ishte vetëm një slogan mobilizues; ajo ishte pjesë e një fryme më të gjerë. Në Berat, Skrapar, Tepelenë, Gjirokastër, Korçë e Mallakastër vepronin figura që e shihnin çështjen kombëtare si një mision që kërkonte njëkohësisht pushkën dhe penën. Kjo shprehje u bë një nga formulimet më të goditura të atdhetarizmit të asaj kohe. Kryengritësit mund të luftonin me armë, por pa librin lufta rrezikonte të mbetej vetëm një përleshje fizike. Mësuesi mund të shkruante e të mësonte, por pa guximin e atyre që mbronin vendin, dija mund të mbetej e pambrojtur. Prandaj këto dy rrugë u ndërthurën, si dy lumenj që rrjedhin nga burime të ndryshme, por derdhen në të njëjtin det.
Një nga dëshmitë më interesante për veprimtarinë publike të Baba Ismail Gllavës lidhet me mitingun patriotik të organizuar në Berat më 28 shkurt 1910 nga klubi “Bashkimi”. Burimet e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane e përmendin atë ndër pjesëmarrësit, krahas Baba Shaban Prishtës, Baba Belul Therepelit, Dervish Medinit dhe figurave të tjera të lëvizjes kombëtare. Në pamje të parë, ky mund të duket thjesht si një episod i veprimtarisë politike të kohës. Por, po ta shohim në vazhdën e asaj që kishte ndodhur më herët në teqetë e kësaj treve, ai merr një kuptim shumë më të gjerë. Sepse pas mitingut të Beratit, veprimtarët bektashinj qëndruan në teqenë e Prishtës dhe u angazhuan për sigurimin e librave dhe fletoreve shqipe. Kështu, teqeja shfaqet përsëri si një hapësirë ku takoheshin besimi, kultura, arsimi dhe veprimtaria kombëtare. Kjo nuk ishte një lidhje e rastësishme. Në rrethanat e kohës, kur arsimi në gjuhën shqipe përballej me pengesa të shumta; sigurimi i një abetareje, i një libri apo i një fletoreje ishte pjesë e drejtpërdrejtë e përpjekjes për të ruajtur identitetin tonë.
Në këtë kuadër bëhet më e kuptueshme edhe lidhja e Baba Medinit me figurat e tjera të shquara të kohës. Ai nuk ishte një patriot i izoluar në një fshat të zonës së Buzit. Veprimtaria e tij ishte pjesë e një rrjeti të gjerë njerëzish që punonin në drejtime të ndryshme për të njëjtin qëllim.
Çerçiz Topulli, Bajo Topulli, Babë Dudë Karbunara, Baba Ahmet Turani, Baba Kamber Velabishti, Dervish Iliazi, Mihal Grameno, Themistokli Gërmenji dhe shumë të tjerë përfaqësojnë atë brez të jashtëzakonshëm shqiptarësh që nuk e ndanin patriotizmin nga përgjegjësia qytetare. Secili prej tyre kishte mjetet e veta. Dikush kishte pushkën. Dikush penën. Dikush shkollën. Dikush klubin patriotik. Dikush teqenë. Por të gjithë e dinin se këto ishin pjesë të së njëjtës përpjekje. Në duart e tyre ndryshonin mjetet, por nuk ndryshonte qëllimi: Shqipëria duhej të kishte zërin e saj, gjuhën e saj dhe të drejtën për të vendosur mbi fatin e vet.
Burime dokumentare mbi Baba Medinin e vendosin çetën e tij prej 13 luftëtarësh në momentin e krijimit të saj, në bashkëpunim me luftëtarë nga Skrapari, Korça dhe Mallakastra, përfshirë çetat e lidhura me Mihal Gramenon, Themistokli Gërmenjin dhe Musa Hamit Hekalin. Në librin e tij “Topullarët e Gjirokastrës”, Bajo Topulli i ri pasqyron bashkëpunimin e çetës së Çerçiz Topullit me çetën e Baba Medin Gllavës. Sipas këtij rrëfimi, çeta e Baba Medinit, me luftëtarë nga Zhapokika, Rehova, Gllava dhe fshatra të tjera, u bashkua me luftëtarët e Çerçiz Topullit dhe së bashku organizuan veprimet ushtarake kundër rebelëve. Fushëbetejë u bë një hapësirë e gjerë që përfshinte Buzin, disa fshatra të Mallakastrës dhe të Beratit. Luftimet vazhduan dhe, sipas dëshmive të cituara, çetat patriotike arritën të thyenin rebelët dhe të merrnin edhe kalanë e Beratit. Në një nga këto luftime, sipas gazetës “Populli”, çeta e Baba Medinit vrau 40 rebelë dhe zuri të gjallë 90 të tjerë. Por, përtej shifrave dhe episodeve të betejave, rëndësi ka edhe ajo që përfaqësonte kjo përplasje. Rebelimi i Haxhi Qamilit dhe i forcave anadollake që e mbështetën atë nuk mund të shkëputet nga përplasja e madhe që po zhvillohej në Shqipërinë e atyre viteve midis projektit të shtetit të ri shqiptar dhe forcave që synonin ta kthenin vendin pas, drejt një rendi të vjetër politik e shoqëror. Në këtë përballje, arsimi, shkolla, libri dhe gjuha shqipe nuk ishin çështje dytësore. Ato ishin pjesë e vetë idesë së Shqipërisë së re. Prandaj, lufta kundër forcave të Haxhi Qamilit mund të shihet edhe si vazhdim i asaj përpjekjeje që kishte nisur shumë më herët në një teqe, me një abetare në duar. Këtu del përsëri në pah roli i popullit. Me mbështetjen e banorëve të fshatrave përreth, zona u shndërrua në një bazë të rëndësishme për luftëtarët e çetave patriotike. Kjo mbështetje tregon se lufta zhvillohej në një terren shoqëror ku njerëzit e kishin kuptuar se çështja e shtetit, e gjuhës dhe e arsimit ishin të lidhura me fatin e tyre.
Në teqe luftohej kundër padijes; në fushën e betejës mbrohej mundësia që ajo dije të kishte një atdhe. Kjo është edhe arsyeja përse lufta e Baba Medinit kundër andartëve grekë në vitin 1914 duhet parë nën të njëjtin këndvështrim. Kjo e bën më të plotë portretin e këtij kleriku. Ai nuk ishte vetëm “baba i teqesë”, as vetëm një luftëtar. Nuk ishte gjithashtu vetëm një përhapës i gjuhës shqipe. Ai ishte njeriu që e kuptoi se të gjitha këto aspekte duhej të bashkoheshin në një mision të vetëm: për Shqipërinë. Ndoshta pikërisht këtu qëndron edhe kuptimi më i thellë i historisë së abetares së Sami Frashërit në teqenë e Gllavës. Abetarja i shërbente mendjes; pushka, në rrethanat e dhunshme të kohës, i shërbente mbrojtjes së asaj që po ndërtohej. Njëra ndërtonte brenda njeriut; tjetra mbronte atë që po ndërtohej jashtë tij.
Sot e kemi të vështirë të përfytyrojmë se çfarë do të thoshte një abetare shqipe në fillim të shekullit XX. Fëmija i sotëm ka gjithçka që i duhet në këtë drejtim: shkollën, mësuesin, internetin, bibliotekën, televizionin, telefonin inteligjent dhe një botë të tërë informacioni në dispozicion. Atëherë, libri shqip duhej kërkuar, sjellë, ruajtur dhe shpërndarë. Madje shpesh duhej përdorur fshehurazi. Edhe hapja e shkollës shqipe në Koshtan më 15 tetor 1908, e dokumentuar si shkolla e parë legale shqipe pas Revolucionit Xhonturk në vilajetin e Janinës, lidhet me mbështetjen e patriotëve tepelenas, ndër ta edhe të Baba Medin Gllavës. Kjo tregon se për të dhe për bashkëkohësit e tij arsimi nuk ishte një çështje anësore, por pjesë e pandarë e çështjes kombëtare. Në atë kohë, një abetare mund të udhëtonte si një amanet; një libër mund të fshihej si një send i rrezikshëm; një mësues mund të bëhej, pa e kërkuar, edhe mbrojtës i identitetit kombëtar.
Po sot? Çfarë ka mbetur nga ai ideal? Dhe këtu historia na çon drejt së tashmes.
Këto ditë, kur mijëra fëmijë shqiptarë nisin një tjetër vit shkollor, skena është krejt ndryshe, si nata me ditën. Kemi ndërtesa shkollore, banka, tekste dhe mjete për një proces mësimor bashkëkohor. Kemi gjithashtu një sistem arsimor që, pavarësisht problemeve të tij, ekziston dhe funksionon në një shtet të pavarur.
Por lind një pyetje e pakëndshme: A po i japim arsimit rëndësinë që i dhanë ata që nuk kishin asgjë nga këto mundësi?
Kjo pyetje nuk është çështje nostalgjie. Është një shqetësim kombëtar për të ardhmen. Sepse një shoqëri mund të ketë shkolla të bukura dhe prapë të mos ketë arsim të mirë. Mund të ketë laboratorë dhe kompjuterë modernë, por mund të mos krijojë dashuri për dijen. Mund të ketë libra të shumtë, por gjithnjë e më pak lexues. Mund të ketë mjete të pafundme për të marrë informacion, por gjithnjë e më pak dëshirë për ta kthyer informacionin në dije.
Sot sfida nuk është më të sigurojmë një abetare shqipe. Sfida është që fëmija ta hapë atë me dëshirën për të mësuar. Sfida është të mos e kthejmë shkollën në një proces mekanik, ku nxënësi mëson për provimin dhe harron të nesërmen atë që mësoi. Sfida është që libri të mos mbetet një objekt mbi bankë apo në bibliotekë, por të bëhet një dritare nga e cila fëmija sheh botën dhe veten.
Sfida është të krijojmë një arsim që formon jo vetëm profesionistë, por edhe qytetarë.
Dhe pikërisht për këto aspekte figura e Baba Medinit na rikthehet si një shembull i vyer, prej të cilit duhet të mësojmë një mënyrë atdhetare të sjelljes politike e shoqërore ndaj çështjes së arsimit të brezit të ri. Sot, sigurisht, nuk mund ta kopjojmë mekanikisht patriotizmin e fillimit të shekullit XX. Nuk kemi nevojë për pushkën e Baba Medinit dhe të patriotëve të tjerë të asaj kohe. Por kemi nevojë për përgjegjësinë e tyre. Kemi nevojë të konsolidojmë bindjen se ajo që bëjmë për dijen dhe edukimin është, para së gjithash, punë për Shqipërinë dhe përparimin e saj. Sepse një komb nuk ndërtohet vetëm me atë që ngrihet mbi tokë, por edhe me atë që ngrihet brenda mendjes së njeriut. Muret e një shkolle mund të ngrihen brenda pak muajsh; ndërtimi i një njeriu kërkon vite. Dhe pikërisht këtu qëndron serioziteti i një shoqërie.
Patriotizmi i sotëm na shfaq shembullin e një mësuesi që nuk dorëzohet përballë një klase të vështirë. Mund të jetë një prind që i mëson fëmijës zellin për shkollën. Mund të jetë një nxënës që lexon një libër në vend që të kalojë orë të tëra vetëm në rrjetet sociale. Mund të jetë një pedagog që kërkon cilësi dhe integritet. Mund të jetë një drejtues shkolle që nuk toleron mediokritetin. Mund të jetë një studiues që ruan dokumentet dhe kujtesën historike. Mund të jetë edhe shteti e qeveria që kupton se investimi më i rëndësishëm nuk është vetëm ai në kulla betoni, por në mendjen e njeriut. Në këtë kuptim, arsimi është një çështje patriotike. Jo sepse duhet t’u mësojmë fëmijëve të përsërisin slogane për atdheun, por sepse duhet t’i bëjmë ata të aftë të ndërtojnë një atdhe më të mirë. Kësisoj, nuk mjafton vetëm të duash vendin ku ke lindur, por të investosh konkretisht që ky vend të bëhet më i mirë. Patriotizmi i vërtetë nuk matet vetëm me atë që themi për Shqipërinë, por me atë që bëjmë çdo ditë për të. Prandaj Abetarja e Sami Frashërit, në teqenë e Gllavës, nuk është vetëm një kujtim i largët. Ajo është një simbol. Një libër që u mësonte njerëzve shkronjat, por që, në një kohë të caktuar historike, u mësonte edhe të thoshin “unë” në gjuhën e tyre dhe, përmes këtij “unë”-i, të zbulonin “ne”-në e kombit.
 
***
 
Nga abetarja te pushka, nga pushka te liria, e nga liria te përgjegjësia: ky është udhëtimi i një brezi që nuk e pa atdheun thjesht si një tokë për t’u mbrojtur, por si një ideal për t’u materializuar. Në këtë udhëtim, Baba Medin Gllava ishte një prej atyre burrave që e kuptuan se Shqipëria duhej të fitonte jo vetëm lirinë, por edhe dritën e dijes, forcën e bashkimit dhe ndërgjegjen e përgjegjësisë. Për kontributin e tij të çmuar në shërbim të kauzës së atdhetarizmit dhe idealeve bektashiane, në shtator të vitit 1914, Baba Medin Gllava u vlerësua nga Princ Vidi me “Medaljen e Artë”, me motivacionin domethënës: “Besë e bashkim për shpëtimin e Atdheut”. Dy fjalë të mëdha - besa dhe bashkimi - që për atë brez ishin udhërrëfim, sakrificë dhe detyrë.
Nëse atëherë abetarja ishte një armë kundër errësirës së padijes, sot ajo duhet të jetë një dritë kundër harresës, mediokritetit dhe varfërisë së mendimit. Sepse Shqipëria e Baba Medinit kërkonte të lindte; Shqipëria e sotme nuk ka më nevojë vetëm të mbijetojë - ajo duhet të dijë të rritet, të zhvillohet dhe të ndërtojë të ardhmen mbi dijen, kulturën dhe përgjegjësinë qytetare për të ardhmen e saj.
Dhe ndoshta ky është mësimi më i mirë që na vjen, pas më shumë se një shekulli, nga ajo abetare e vogël e mbajtur dikur në duart e një baba bektashi: atdheu nuk mbrohet vetëm me armë dhe në kufi. Ai mbrohet edhe me dije e ndërgjegje; në bankën e shkollës, në faqen e librit, në mendjen e fëmijës dhe në përgjegjësinë e çdo qytetari.

 

Lini një Përgjigje