PD: Hetim parlamentar për “Kayo”! Berisha thotë se Ron Yeffet është varianti joshqiptar i Ergys Agasit

Partia Demokratike depozitoi në Kuvend kërkesën për ngritjen e një Komisioni Hetimor për kompaninë e prodhimit të armëve Kayo. Në një konferencë me gazetarët kryetari i PD Sali Berisha deklaroi se hetimi është i domosdoshëm pasi akuzat e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj në lidhje me kompaninë Kayo përbëjnë një njollë për një vend anëtar të NATO-s.
“Opozita do të bëjë të gjitha përpjekjet e veta, por Roni Yeffet, që është varianti joshqiptar i Gys Agasit, përbën dhe ai një element tjetër në zinxhirin e akteve mafioze të Edi Ramës. Dhe sot, janë dorëzuar firmat për krijimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi veprimtarinë antikushtetuese, antiligjore, korruptive të Edi Ramës dhe kompanisë së tij me Ronin, Veliun dhe si quhet ajo, zonja e autoblindit, famozja Puca”, tha Berisha.
Kjo ishte konferenca e parë e Berishës pas vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vizitë që për kryetarin e PD tregon se e drejta u vendos në vendin e vet.
“Kjo e drejtë u rivendos së pari kur ata që u morën me këtë çështje, morën me kohë ndëshkimin e merituar nga shteti i tyre. McGonigal, vite burg. Yuri Kim, jashtë shërbimit diplomatik. Antony Blinken, i padëshiruar në vendin e tij. Edi Rama në rrokullisjen e tij të madhe. Lulzim Basha, Lulzim Brava është ndryrë me brava tani”, u shpreh kreu i PD.
Por tani që sanksionet ndaj kryetarit të PD janë hequr, a do të vijë në selinë e Partisë Demokratike ambasadori i ri i SHBA?
“Ambasadori është i mirëseardhur në çdo kohë në selinë e Partisë Demokratike. Por agjendën e tij e bën vetë ai”, tha Berisha.
Hera e fundit që ambasadorët e vendeve kryesore të BE dhe ambasadori amerikan kanë qenë në selinë e PD ka qenë në dhjetorin e vitit 2021 kur Lulzim Basha mbante ende vulen e PD, por Sali Berisha kishte treguar se kishte mbështetjen e shumicës së demokratëve dhe ishte faktikisht lideri i PD.
Në 5 vitet e fundit asnjë prej diplomatëve që përfaqësojnë SHBA apo vendet kryesore të BE nuk kanë ardhur në selinw e PD e nuk kanë takuar kryetarin e forcës më të madhe të opozitës, Sali Berishën.




