Ministrja e re e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, sapo mori detyrën, shkarkoi drejtoreshën e Operatorit Shtetëror të Sterilizimit pak pasi përfundoi tenderi rreth 50 milionë euro për shërbimin e hemodializës, të fituar nga kompania suedeze “Diaverum”. Por nga ana tjetër, Spahiu ka sinjalizuar edhe anulimin e tenderit të shumë debatuar, duke rritur mundësinë e një përplasjeje ligjore dhe politike brenda qeverisë.
SYRI TV
Ministrja e sapoemëruar e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, e nisi punën e saj me shkarkimin e drejtoreshës së Operatorit Shtetëror të Sterilizimit, Arisa Cane, vetëm pak orë pasi ajo mbylli tenderin e shumëdebatuar për Shërbimin e Hemodializës, me vlerë rreth 50 milionë euro.
Ndërkohë që njoftoi emërimin e drejtoreshës së re, Yllka Sheta, ministrja la të kuptohet gjithashtu që do të anulojë procedurën e fituar nga kompania me seli në Suedi, “Diaverum”.
Por, përtej deklaratave publike, situata në letra duket ndryshe dhe, me shumë mundësi, do të vijojë të krijojë përplasje brenda radhëve të qeverisë. Në Buletinin e Prokurimit Publik të kësaj të hëne, Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit ka publikuar njoftimin për shpalljen e “Diaverum” fitues të tenderit “Ofrimi i shërbimit të hemodializës në 5 (pesë) qendra të hemodializës, të ngritura në spitalet Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë dhe Elbasan, Marrëveshje Kuadër 48 muaj”.
Kompania fituese ishte e vetme në garë dhe paraqiti ofertën në shumën 4.440.664.800 lekë të reja.
Ndërkohë, njoftimi i fituesit është shoqëruar edhe me një detaj të vogël, por që mund të ndezë sherrin brenda kabinetit të kryeministrit Edi Rama. Në dokumente thuhet se: “Me publikimin e këtij njoftimi, nuk zbatohet periudha e pritjes për ankime, sipas përcaktimeve në shkronjën “b”, pika 2, neni 96 ‘Periudha e pritjes’ të Ligjit Nr. 162/2020, datë 23.12.2020, ‘Për Prokurimin Publik’”.
Në këtë nen thuhet shprehimisht: “Periudha e pritjes, e parashikuar në pikën 1 të këtij neni, nuk zbatohet, në rastin e procedurave me një ofertues të vetëm, i cili është kualifikuar dhe shpallur fitues”.
Në bazë të këtyre parashikimeve, kompania “Diaverum” rezulton se është shpallur përfundimisht fituese e tenderit 50 milionë euro.
Ndërkohë, ministrja e re, Klodiana Spahiu, mbështet idenë e anulimit të procedurës, duke krijuar premisat për një përballje gjyqësore me shoqërinë fituese.
Tenderi dhe zhvillimet e fundit në Operatorin Publik të Sterilizimit, i njohur si OSISH, u shoqëruan me dyshime dhe akuza nga opozita. Kreu i Komisionit Parlamentar Shëndetësor, Bardh Spahia, deklaroi pak ditë më parë se e emëruara e re në krye të OSISH është një familjare e afërt e bashkëshortes së kryeministrit dhe u vendos aty për të kontrolluar miliardat e kësaj strukture.
© SYRI.net
Apeli i GJKKO-së pranon kërkesën e Metës: Do gjykohet jashtë kafazit të qelqtë
Mazhoranca refuzon përfshirjen në kalendar të nismës për shfuqizimin e 'Ligjit për Zonat e Mbrojtura'- Zhupa: Po mbroni korrupsionin
PD: Viti i ri shkollor nis me 4 mashtrime nga qeveria, arsimi shqiptar në gjendje të rëndë dhe jashtë çdo standardi