Nga Belind Këlliçi
Nesër kreu i 5D pret lirinë, por a do të mbrojë Gjykata e Lartë zyrtarisht korrupsionin?!
Me 13 akuza të rënda për korrupsion, fshehje pasurie, pastrim parash, shpërdorim detyre, etj, Erjon Veliaj pret nesër të marrë lirinë nga Gjykata e Lartë.
Ai ka bërë gjithçka deri më tani për të krijuar rrethanat që të lërë qelinë e të rikthehet në zyrë. Duke krijuar krizë në bashki, në menaxhimin e shërbimeve kryesore të qytetit, duke shkarkuar ata që nuk i binden, duke lobuar me qindra mijra dollarë me zyra të shtrenja avokatie e deri me shkrime në mediat amerikane, Veliaj ka ngritur një skemë presioni për të dalë nga qelia.
Nga ana tjetër, ka në favor Sadushin e partisë, Kryetarin e Gjykatës së Lartë i cili pak kohë më parë ndryshoi praktikën gjyqësore me një vendim unifikues ku u shpreh se burgu duhet të jetë masa e fundit për të korruptuarit.
Edi Rama është shprehur së fundmi në favor të lirimit të Veliajt, duke thënë se Bashkia më e madhe është pa zot. Të mos përmendim këtu vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e la në detyrë, pra i la në dorë kartën kryesore që ai po përdor në këtë proces.
Arsyeja pse Erion Veliaj kërkon të lërë qelinë është e lidhur drejtpërdrejtë me gjyqin që ndërkohë ka nisur, por ai e zvarrit me mungesa e me justifikime banale.
Nëse nesër lë qelinë, Veliaj do të ketë zyrën e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe pushtetin që buron prej aty në dispozicion të interesit personal, në shërbim të hallit të tij duke e vënë përballë GJKKO e SPAK.
Nëse Gjykata e Lartë e liron nesër Veliajn, drejtësia dhe beteja ndaj korrupsionit merr një goditje të pashembullt. Dëmi do të jetë i parikuperueshëm, pasi do të kemi rikonfimim të pandëshkueshmërisë, të kontrollit politik mbi Gjykatën më të rëndësishme në vend.
Gjykata e Lartë, nëse liron Veliajn do të japë një vendim që favorizon abuzimin me detyrën, që favorizon kryerjen e veprave të rënda penale nga korrupsioni tek pastrimi i parave të pisëta. Nëse kjo ndodh, nga nesër Gjykata e Lartë kthehet zyrtarisht në notere të korrupsionit qeveritar!
© SYRI.net