
Gazetari Osman Stafa ka depozituar një padi në polici, pas kërcënimit që ka marrë sot në rrjetet sociale përmes një mesazhi me përmbajtje kërcënuese në llogarinë e tij në rrjetin social facebook.
Mesazhi dyshohet se është dërguar nga një llogari e falsifikuar. Në kuadër të veprimeve hetimore po punohet për identifikimin e autorit dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurori, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik”, “Përndjekja” dhe “Kanosja”, të parashikuara nga nenet 186/a, 121/a dhe 84 të Kodit Penal.
Hetimet vijojnë në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e personit përgjegjës.
Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për të garantuar rendin dhe sigurinë, jetën dhe pronën e qytetarëve dhe, në veçanti, sigurinë e gazetarëve në ushtrimin e detyrës së tyre, duke reaguar ndaj çdo forme kërcënimi, intimidimi apo presioni që cenon sigurinë dhe lirinë e tyre për të ushtruar profesionin.

