
Deputeti socialist, Erion Braçe e ka cilësuar sot vendimin e KLGJ-së dhe KLP-së, si shkelje e hapur e atributeve kushtetuese të Kuvendit dhe deputetëve për caktimin e pagave.
Braçe tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk i jep të drejtë KLGJ-së dhe KLP-së që të caktojnë vetë rrogat e magjistratëve, por ia ngarkon këtë detyrë Parlamentit.
Ai tha se vendimmarrja mbi fondet e Thesarit të Shtetit duhet të bëhet vetëm nga institucionet e autorizuara me ligj.
“Në thesarin e shtetit nuk fut dorë kushdo që nuk është i autorizuar nga ligji. Paratë janë të taksapaguesve shqiptarë”, u shpreh Braçe, duke paralajmëruar se vendime të tilla mund të cenojnë disiplinën fiskale dhe të krijojnë precedent për kërkesa të tjera financiare.
“Në qoftë se ata që përbëjnë KLGJ-në dhe KLP-në do vinin këtu para këtij komisioni dhe t’i kërkonin ndjesë minimalisht deputetëve të këtij komisioni, në qoftë se e ndjejnë ta bëjnë për të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, po të paktën deputetëve të këtij komisioni që ka atributet kushtetuese për caktimin e rrogave të tyre.
Vendimi i tyre, jo që nuk ka pyetur fare për këtë atribut kushtetues të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, po ka marrë kompetencat e drejtpërdrejta të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk i kërkon KLGJ-së dhe KLP-së të me caktojë rrogën e prokurorëve dhe gjyqtarëve. I kërkon Parlamentit të caktojë rrogën e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Ai akt që ata kanë bërë, jo vetëm që nuk ka bazë ligjore, por është edhe akt i kallëzueshëm”, tha deputeti socialist./Versus.al

