Babai i kryeministrit britanik Andy Burnham, Roy Burnham, ka ndërruar jetë pas një beteje të gjatë me sëmundjen e Alzheimerit. Lajmi është konfirmuar nga Downing Street, ndërsa kreu i qeverisë britanike ka anuluar të gjitha angazhimet e planifikuara për të hënën dhe të martën, pas humbjes së të atit.
“ Kryeministri ka anuluar angazhimet për sot dhe nesër për shkak të ndarjes nga jeta të babait të tij, Roy”, bëri të ditur një zëdhënës i Downing Street.
Roy Burnham, i cili ishte 86 vjeç sipas raportimeve, jetonte në një institucion kujdesi për shkak të sëmundjes së Alzheimerit. Gjendja e tij shëndetësore ishte bërë publike nga vetë Andy Burnham, i cili në muajt e fundit kishte folur hapur për ndikimin që sëmundja e të atit kishte pasur te familja dhe te vetë ai.
Kjo përvojë personale ka ndikuar edhe në qëndrimet politike të Burnham për reformimin e sistemit të kujdesit social në Britani. Ai ka folur vazhdimisht për vështirësitë me të cilat përballen familjet që kujdesen për të afërmit e prekur nga demenca dhe Alzheimeri, duke e cilësuar reformën e kujdesit social si një prej prioriteteve të tij.
Në një rrëfim emocional, Burnham kishte treguar më herët se babai i tij nuk ishte në gjendje ta kuptonte plotësisht se i biri ishte bërë kryeministër, për shkak të sëmundjes. Megjithatë, stafi i qendrës së kujdesit ku qëndronte Roy kishte organizuar një moment të veçantë pas hyrjes së Burnham në Downing Street, duke e vendosur babain e tij përpara televizorit për të parë pamjet e të birit. Për një çast, stafi mendoi se Roy e kishte kuptuar se kush ishte në ekran.
Vdekja e të atit ka bërë që Burnham të tërhiqet përkohësisht nga aktivitetet publike. Mes angazhimeve të anuluara ishte edhe një paraqitje e planifikuar në konferencën e Kongresit të Sindikatave Britanike (TUC) në Brighton.
Roy Burnham kishte punuar si inxhinier telefonik, ndërsa Andy Burnham është shprehur më herët se prindërit e tij, pavarësisht se nuk kishin ndjekur universitetin, e kishin mbështetur dhe nxitur atë dhe vëllezërit e tij për të ndjekur arsimin e lartë.


