Bojkoti i avokatëve shtyn gjyqet, gazetarët dërgojnë në Kushtetuese rregulloren e re të GJKKO

Nga Blerina Cene
Dosja “Partizani” me të pandehur ish-kryeministrin e vendit, Sali Berisha, dosja “Buka”, dosja me të pandehur Evis Berberin, por edhe ajo me të akuzuar Lulzim Berishën, dështuan. Shkak u bë bojkoti i paralajmëruar i avokatëve, kundër rregullores së re të Gjykatës Antikorrupsion.
Për rregulloren e re, e cila hyri në fuqi me datë 1 shtator, tanimë gjykatës antikorrupsion do t’i duhet të përballet me gazetarët në kushtetuese. Sot një grup prej tyre depozituan në gjykatën kushtetuese një kërkesë padi me objekt pezullimin e rregullores dhe më pas shfuqizimin e saj, ku argument thelbësor është censurimi i medias dhe cënimi i autonomisë së saj.
Problemi lind kur nën emërtimin e një rregulloreje të brendshme për sigurinë dhe rendin, vendosen kufizime të përgjithshme ndaj gazetarëve, publikut, dhe personave të tjerë që nuk janë në varësi administrative të gjykatës, thotë shoqata e gazetarëve.
“Megjithëse paraqitet si “rregullore e brendshme”, akti nuk kufizohet në organizimin e administratës dhe personelit të GJKKO-së. Ai përcakton kushtet e hyrjes së gazetarëve dhe publikut, pajisjet që mund të përdoren, procedurat e akreditimit, afatet për paraqitjen e kërkesave, mënyrën e fotografimit dhe filmimit, transmetimin e seancave dhe përdorimin e mëvonshëm të materialeve nga redaksitë”, njofton Shoqata e Gazetarëve.
Një tjetër arsye pse kjo rregullore do duhet të shfuqizohet është paramendimi se gazetarët që raportojnë për këtë institucion përkufizohen si elementë rreziku. Prania e gazetarëve nuk mund të konsiderohen vetvetiu tregues rrezik, por duhet të mbështetet në në të dhëna konkrete për kërcënime, incidente apo rrethana të veçanta thuhet në kërkesë padi.
/vizionplus.tv




