Komisioni i Ekonomisë dhe Financave ka miratuar në parim draftin e mazhorancës për rritjen e pagave të magjistratëve.
Nisma u miratua me 8 vota pro, 2 kundër dhe 1 abstenim, ndërsa parashikon rritjen e pagës referuese të magjistratëve nga 36% në 38% të pagës së Presidentit të Republikës.
Sipas draftit, rritja përkthehet në rreth 8,500 lekë më shumë në pagën referuese të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Por kjo shifër është më e ulët se kërkesa e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të cilët kanë kërkuar një rritje prej rreth 80 mijë lekësh për pagat e magjistratëve.
Drafti pritet të kalojë për shqyrtim dhe votim në seancë plenare. Sipas raportimeve, mazhoranca synon që projektligji të miratohet në Kuvend më 17 shtator.
Debati për pagat e magjistratëve është përshkallëzuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 17 shkurtit 2026 dhe mosmiratimit brenda afatit të përcaktuar të formulës së re të pagave.













