Të paktën 13 persona, mes tyre gjashtë fëmijë dhe tre gra, kanë humbur jetën në sulmet ajrore izraelite në qytetin Kfar Ruman, në jug të Libanit. Ministria libaneze e Shëndetësisë e konfirmoi bilancin, duke e cilësuar ngjarjen si një nga sulmet më vdekjeprurëse të javëve të fundit.
Sulmet kanë rikthyer shqetësimet për nisjen e një fushate të re ushtarake izraelite në Liban, në një kohë kur tensionet janë rritur ndjeshëm gjatë ditëve të fundit, pavarësisht armëpushimit të arritur në qershor për t’i dhënë fund luftimeve mes Izraelit dhe Hezbollahut.
Sipas dëshmive nga vendngjarja, një kompleks banesash u godit në orët e para të mëngjesit, ndërsa fëmijët po përgatiteshin për të shkuar në shkollë. Gazetarët e Reuters që ndodheshin në zonë raportuan se në mesin e rrënojave u gjetën edhe libra shkollorë, ndërsa ekipet e shpëtimit përdorën makineri të rënda për të nxjerrë viktimat nga ndërtesa e shembur.
Një prej rasteve më tragjike është ai i tetëvjeçarit Mustafa Farhat. Sipas banorëve, fëmija ka humbur nënën dhe gjyshërit në bombardim, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet për babain e tij. Vetë Mustafa ndodhet në spital me lëndime.
Një e afërme e familjes, Mona Farhat, tha për Reuters se shtëpia u godit pak para hapjes së shkollave. “Çfarë synojnë? Cili është objektivi i tyre? A duan që ne të largohemi nga toka jonë? Gabohen”, u shpreh ajo.
Ushtria izraelite deklaroi se objektivi i sulmit në Kfar Ruman ishin persona që, sipas saj, mbanin armë. Izraeli gjithashtu tha se po hetonte raportet sipas të cilave në sulm mund të ishin goditur edhe civilë.
Sipas autoriteteve libaneze, në një tjetër incident një dron izraelit që kishte në shënjestër një automjet vrau një ndihmës mjekësor dhe plagosi dy persona të tjerë.
Sulmet u kryen pa një paralajmërim paraprak për evakuim nga ushtria izraelite, sipas raportimeve nga vendngjarja.
Nga ana tjetër, ushtria izraelite pretendoi se gjatë natës Hezbollahu kishte lëshuar dy dronë të armatosur në drejtim të trupave izraelite pranë kreshtës Ali al-Taher, në një zonë kodrinore të Libanit juglindor ku, sipas Izraelit, grupi militant ka ndërtuar një kompleks ushtarak nëntokësor.
Javën e kaluar, Izraeli deklaroi se kishte “pastruar” zonën nga luftëtarët e Hezbollahut. Grupi libanez nuk ka bërë koment lidhur me këtë pretendim.


