Policia e Kosovës ka ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë për zhvillimet e pritshme më 16 shtator, ditën kur pritet të shpallet verdikti i Gjykatës Speciale në Hagë për ish-krerët e UÇK-së.
Në një njoftim zyrtar, Policia e Kosovës bëri të ditur se ka hartuar planin e angazhimeve policore me qëllim garantimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe sigurimin e mbarëvajtjes së aktiviteteve që mund të zhvillohen gjatë kësaj dite.
Sipas Policisë, në kuadër të përgatitjeve janë zhvilluar takime informuese dhe koordinuese me drejtues të departamenteve, divizioneve dhe drejtorive rajonale, si dhe me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë KFOR-in, EULEX-in, Ambasadën e SHBA-së, Zyrën e BE-së dhe OSBE-në.
“Një takim i tillë u mbajt edhe sot në Drejtorinë e Përgjithshme të PK-së, ku u prezantua plani dhe angazhimet policore lidhur me zhvillimet e parapara që ndërlidhen me datën 16 shtator”, thuhet në komunikatë.
Policia thekson se do të jetë e angazhuar për garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët, pa dallim, ndërsa njësitë policore do të jenë të pranishme në terren për të menaxhuar çdo situatë që mund të krijohet dhe për të parandaluar incidente të mundshme.
Një nga masat e parashikuara lidhet me qarkullimin rrugor. Në varësi të aktiviteteve dhe zhvillimeve gjatë 16 shtatorit, mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugët ku do të zhvillohen tubime apo aktivitete.
“Varësisht nga aktivitetet dhe zhvillimet e mundshme, mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugët e prekura nga aktivitetet, andaj Policia e Kosovës ka parashikuar edhe angazhime të njësive policore patrulluese të trafikut, në rast të nevojës për riorientim të trafikut në rrugët alternative”, thuhet në njoftim.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve në aktivitetet e planifikuara që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë, të tregojnë kujdes dhe të kontribuojnë që çdo tubim apo aktivitet të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe të sigurt.
Sipas Policisë së Kosovës, planifikimi dhe zbatimi i masave të sigurisë në raste kur priten zhvillime të rëndësishme, aktivitete publike apo pjesëmarrje e madhe e qytetarëve, janë pjesë e procedurave të rregullta policore dhe synojnë garantimin e sigurisë së përgjithshme.
Në fund të komunikatës, Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, duke theksuar se siguria e qytetarëve dhe mbarëvajtja e aktiviteteve mbeten prioritet.
“Zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin kushtetues dhe sigurinë publike në vend”, thuhet në njoftim.


