E ftuar në podcastin “Pjaca”, të drejtuar nga gazetari Alfred Peza, këtë të hënë ishte arkitektja Gentjana Dikellari, e cila foli për investimet në prona, arredimin dhe mënyrën se si shqiptarët e konceptojnë luksin.
Gjatë bisedës, Dikellari u pyet nga Peza se cili ka qenë investimi më i shtrenjtë ku ajo është përfshirë si arkitekte.
Peza: Cili ka qenë investimi më i shtrenjtë ku je përfshirë?
Dikellari: Investimet më të shtrenjta janë vilat, në Tiranë dhe bregdet.
Sipas saj, çmimet e vilave luksoze mund të jenë shumë të larta, ndërsa një vilë e shtrenjtë mund të ketë një kosto mesatare prej rreth 500 mijë eurosh.
Peza: Sa shkon një vilë e shtrenjtë?
Dikellari: Mund t’i shtosh 0 sa të duash, mesatarja 500 mijë euro.
Biseda u ndal edhe tek arredimet luksoze. E pyetur nëse ka dëgjuar për arredime me vlerë 1 milion euro, Dikellari tha se po. I njëjti ishte edhe qëndrimi i saj kur Peza e pyeti për arredime me vlerë 2 milionë euro.
“Me 10 mijë euro, më mirë bëj një biznes”
Një tjetër pjesë e diskutimit lidhej me buxhetin e arredimit të një banese. Peza e pyeti arkitekten se çfarë mund të bëhej me 10 mijë euro për një shtëpi 100 metra katrorë.
Dikellari sugjeroi që një shumë e tillë të përdorej fillimisht për të krijuar të ardhura më të mëdha, përpara se të investohej në një arredim të kushtueshëm.
Peza: Nëse unë kam 10 mijë euro, çfarë arredimi mund të bëj për një shtëpi 100 m²?
Dikellari: Me 10 mijë euro është mirë të bësh një biznes, që të bësh pak para më shumë, që të bësh një arredim të mirë, me 100 mijë euro.
Arkitektja theksoi gjithashtu rëndësinë e investimit në elementët bazë të një shtëpie, duke përmendur muret, instalimet elektrike dhe ato hidraulike.
“Luksi është diçka e kërkuar”
Në vijim të bisedës, Peza e pyeti Dikellarin nëse luksi për shqiptarët po vjen natyrshëm me rritjen e standardit të jetesës apo është diçka e kërkuar me çdo kusht.
Sipas arkitektes, kërkesa për luks ekziston si tek personat me buxhete të larta, ashtu edhe tek ata me mundësi më të kufizuara financiare.
Dikellari: Luksi është diçka e kërkuar, si për ata që kanë buxhet dhe ata që s’kanë.
Ajo shtoi se në disa raste përdoren materiale më ekonomike dhe imitime, me synimin që ambienti të krijojë pamjen e luksit.
Investimet në hoteleri
Dikellari foli gjithashtu për investimet në sektorin e hotelerisë, duke nënvizuar rëndësinë e kushteve dhe cilësisë së ofruar. Sipas saj, në këto investime nuk duhet kursyer, pasi synimi duhet të jetë krijimi i ambienteve sa më cilësore dhe ofrimi i kushteve sa më të mira për klientët.
Diskutimi në “Pjaca” solli kështu në vëmendje jo vetëm shifrat e larta që mund të arrijnë investimet në vila dhe arredime luksoze, por edhe mënyrën se si shqiptarët po e konceptojnë gjithnjë e më shumë luksin në hapësirat e tyre të banimit dhe në biznes.


