
Gazetari i televizionit News 24, Osman Stafa është kërcënuar me jetë përmes një mesazhi të dërguar në llogarinë e tij në “Facebook”.
“Mbaje mend do të vras dhe këtë ta garantoj”, ka qenë mesazhi i mbërritur në llogarinë e Stafës, i cili ka kryer kallëzim në Policinë e Shtetit.
Policia e Shtetit njoftoi të martën se ka referuar në Prokurorinë e Tiranës materialet për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik”, “Përndjekje” dhe “Kanosja”. Sipas policisë, mesazhi dyshohet se është dërguar nga një llogari e falsifikuar.
Stafa i tha BIRN se dyshonte që kërcënimi lidhej me një video që ka publikuar në datë 8 shtator për protestën e zhvilluar tek godina e Kuvendit të Shqipërisë. Ai shpjegoi se në afërsi në Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” ka filmuar me celular katër persona me veshje civile, të cilët po mbanin në tokë një person, i cili kishte një qese me vezë. Sipas Stafës, mesazhi i ka mbërritur në rubrikën SPAM më datë 9 shtator, një ditë pasi kishte publikuar videon.
“Është një mesazh kërcënues për jetën dhe lidhjet me punën time si gazetar. Pra unë kam filmuar një ngjarje e ndodhur në një hapësirë publike, e zhvilluar nga punonjës të policisë së shtetit, (civilë),” tha Stafa.
Ky nuk është rasti i parë i kërcënimit për gazetarin Stafa. Më herët, ai ka denoncuar kërcënime për raportimet e tij lidhur me situatën në spitalin Onkologjik apo për një masakër mjedisore në lumin Shkumbin.
Kërcënimi ndaj gazetarit Osman Stafa u dënua nga Asocacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.






