AKTUALITET /

PDK konteston qeverinë “Kurti 4” në Kushtetuese

PDK kundërshton vendimin e kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, për ta konsideruar Kuvendin të konstituuar, edhe pse nuk është zgjedhur nënkryetari nga radhët e PDK-së.

Shkruar nga Versus

PDK konteston qeverinë “Kurti 4” në Kushtetuese

Një orë para nisjes së punës së qeverisë së katërt të Albin Kurtit, konstituimi i Kuvendit të Kosovës është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Demokratike e Kosovës.

Deputetët e PDK-së, Përparim Gruda dhe Arian Tahiri, së bashku me avokatin e partisë, kanë dorëzuar kërkesën në Kushtetuese për të kundërshtuar konstituimin e Kuvendit, i cili u shpall i përfunduar një ditë më parë.

PDK kundërshton vendimin e kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, për ta konsideruar Kuvendin të konstituuar, edhe pse nuk është zgjedhur nënkryetari nga radhët e PDK-së.

Partia opozitare i kërkon Gjykatës Kushtetuese që ta shpallë jokushtetuese seancën e së dielës dhe të vendosë një masë të përkohshme për pezullimin e punës së Kuvendit.

Deputeti Përparim Gruda tha se çështja lidhet me respektimin e afateve dhe procedurave kushtetuese, duke argumentuar se Kuvendi është konstituuar në rrethana që, sipas tij, nuk përputhen me Kushtetutën.

Ndërkohë, pavarësisht kërkesës së PDK-së, qeveria e re e drejtuar nga Albin Kurti ka nisur punën.

Kryeministri Kurti u ka bërë thirrje partive politike që të zbatojnë marrëveshjen për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Tashmë, beteja politike është zhvendosur në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të duhet të vlerësojë ligjshmërinë e konstituimit të Kuvendit dhe kërkesën për pezullimin e punës së tij./Versus.al

Poll