Dy shqiptarë kanë vënë në lëvizje autoritetet greke brenda pak ditësh, pas dy arratisjeve të bujshme që kanë ngritur në këmbë policinë fqinje. Njëri u nxor me forcë nga një spital, në një operacion të organizuar dhe të armatosur, ndërsa tjetri nuk u kthye në qeli pas përfundimit të lejes shpërblyese.
Bëhet fjalë për Gentian Çipin, 41-vjeçarin nga Korça dhe Alket Rizain, një prej emrave më të njohur të botës së krimit në Greqi. Dy raste të ndryshme, por që kanë vënë në lëvizje autoritetet greke të cilët kanë ndërmarrë një sërë operacionesh kërkimi.
Rasti i parë lidhet me Gentian Çipin, i cili u arratis nga Spitali i Përgjithshëm i Serres, pasi ishte transferuar atje nga burgu i Nigritas. Sipas mediave greke, automjeti i shërbimit të jashtëm të burgjeve kishte mbërritur pranë spitalit, ndërsa në momentin e ndalimi disa persona të armatosur, të veshur me të zeza dhe që dyshohet se u paraqitën si efektivë të njësisë OPKE iu afruan eskortës.
Ata i kërcënuan punonjësit që shoqëronin të burgosurin dhe më pas morën Çipin dhe u larguan me shpejtësi.
Autoritetet greke dyshojnë se arratisja ishte e organizuar. Sipas të dhënave të bëra publike, në operacion janë përdorur dy automjete. Njëri u gjet i braktisur në një rrugë anësore të unazës së Serres, ku u sekuestruan një kallashnikov dhe fishekë, ndërsa një automjet tjetër u gjet i djegur plotësisht në zonën e Volvit, në Selanik.
Pas arratisjes, policia greke ka vënë në lëvizje një operacion të gjerë kërkimi në Serres, Selanik dhe zonat pranë kufijve veriorë të vendit, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që i arratisuri të jetë larguar nga Greqia.
Çipi ishte arrestuar në shtator të vitit 2025, bashkë me dy shtetas të tjerë shqiptarë, në kuadër të hetimeve për një atentat të dyshuar ndaj një 25-vjeçari në zonën e Pylaia, në Selanik. Ai akuzohej për tentativë vrasjeje, ndërsa hetimet e autoriteteve greke e lidhnin gjithashtu me dyshime për përfshirje në një organizatë kriminale të lidhur me narkotikët.
Gjatë kontrolleve të asaj kohe, policia greke kishte sekuestruar më shumë se 30 kilogramë kanabis, armë zjarri dhe municione.
Ndërkohë që vetëm pak ditë më vonë nga arratisja e 41-vjeçarit, një tjetër emër i njohur ka arritur t’u shpëtojë autoriteteve greke.
Bëhet fjalë për Alket Rizain, i cili ndodhej në burgun e Domokosit dhe kishte përfituar leje shpërblyese që prej 7 shtatorit. Sipas mediave greke, ai duhej të rikthehej në ambientet e burgimit mëngjesin e ditës së djeshme, mirëpo nuk ishte paraqitur. Si rrjedhojë autoritetet greke e shpallën atë zyrtarisht të arratisur.
Mirëpo historia e Rizait, i cili dihet për “famën e keqe” që ka në tokën greke dhe atë shqiptare, ka marrë një tjetër rrjedhë pasi dyshohet se ai mund të jetë përfshirë në një konflikt me armë zjarri. Ngjarje e cila raportohet të ketë ndodhur një ditë më parë, 13 shtator, në një beach-bar në plazhin e Anavyssos.
Sipas të dhënave paraprake, gjithçka nisi pas ndërprerjes së muzikës për shkak të orarit. Rizai dhe personat që e shoqëronin u larguan nga lokali, por më pas 48-vjeçari shqiptar u ndal pranë automjetit të tij dhe vijoi të vendoste muzikë me volun të lartë.
Pas një debati me pronarin e biznesit, dyshohet se ky sherr u përshkallëzua. Sipas asaj që dëshmitarët kanë dëshmuar në polici, Rizai nxori një armë dhe qëlloi fillimisht në ajër. Në konflikt ndërhyri një roje sigurie nga Afganistani, i cili dyshohet se qëlloi në drejtim të shqiptarit.
Nga përplasja mbetën të plagosur një 20-vjeçar grek dhe një 41-vjeçar pakistanez. Policia greke ka arrestuar pronarin 41-vjeçar të beach-barit dhe bashkëshorten e tij 39-vjeçare. Të dy akuzohen ndër të tjera për dëshmi të rreme, pengim të drejtësisë dhe armëmbajtje pa leje.
Alket Rizai nuk është një emër i panjohur për autoritetet greke. Ai është bërë i famshëm në Greqi edhe për dy arratisje spektakolare nga burgu, në vitet 2006 dhe 2009, të dyja të realizuara me helikopter. Sipas të dhënave të publikuara nga mediat greke, nga janari i vitit 2021 deri në shtator 2026, Këshilli i Burgjeve i kishte miratuar atij 16 leje daljeje. Megjithatë këtë here Rizai nuk u kthye pas lejes së fundit dhe tashmë është në kërkim të autoriteteve.
