
IuteCredit Albania ka paguar gjatë vitit të kaluar rreth 1.1 miliardë lekë, ose 11.4 milionë euro, shpenzime për kompaninë e saj mëmë në Estoni. Shifrat dalin nga bilanci zyrtar i kompanisë dhe përfshijnë pagesa për shërbime menaxhimi, shërbime garancie dhe interesa borxhi.
Të dhënat financiare tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të krijuara nga aktiviteti i IuteCredit në Shqipëri është kanalizuar drejt kompanisë mëmë përmes këtyre transaksioneve.
Nga totali prej 1.1 miliardë lekësh, 605.5 milionë lekë janë paguar për shërbime menaxhimi nga kompania mëmë në Estoni.
Një tjetër zë i rëndësishëm janë 219 milionë lekët e paguara për shërbime garancie.
Ndërsa pjesa e mbetur, prej 274.3 milionë lekësh, përbëhet nga interesa që IuteCredit Albania i paguan pronarit estonez si interesa për borxhin.
Në total, këto pagesa arrijnë në rreth 11.4 milionë euro vetëm për një vit.
Si zbrazet fitimi nga Shqipëria?
Në një sistem ideal taksimi, ku kapitali do të tatohej njësoj pavarësisht kufijve, transaksionet e një kompanie me palët e lidhura nuk do të përbënin ndonjë shqetësim të madh.
Por në botën reale, problemi qëndron pikërisht te fakti se shkalla e taksave ndryshon nga njëri vend në tjetrin.
Në Shqipëri, tatimi mbi fitimin është 15 për qind.
Në Estoni, ndërkohë, sistemi tatimor është i ndryshëm dhe fitimet e pashpërndara nuk tatohen në të njëjtën mënyrë si në Shqipëri.
Ky hendek tatimor krijon mundësi për atë që njihet si arbitrazh tatimor.
Nëpërmjet transaksioneve mes palëve të lidhura, një kompani mund të lëvizë një pjesë të fitimit nga vendi ku aktiviteti ekonomik zhvillohet dhe ku fitimi tatohet, drejt një juridiksioni ku barra tatimore është më e ulët.
Kjo është pikërisht ajo që ngre pikëpyetje në rastin e IuteCredit në Shqipëri.
Kompania shqiptare paguan shuma të konsiderueshme ndaj kompanisë mëmë për menaxhim, garanci dhe interesa borxhi. Këto pagesa regjistrohen si shpenzime në Shqipëri dhe ndikojnë në rezultatin financiar të kompanisë.
Sa më të larta të jenë shpenzimet e deklaruara, aq më i ulët mund të jetë fitimi që mbetet për t'u tatuar në Shqipëri.
Në këtë mënyrë, debati nuk lidhet vetëm me shumën që transferohet jashtë vendit, por edhe me efektin që këto pagesa kanë mbi bazën e tatueshme të kompanisë.
Në pesë vitet e fundit, shpenzimet që Iute Albania bën për kompaninë e saj mëmë në Estoni gati janë trefishuar.
Në vitin 2020, këto shpenzime ishin rreth 3.96 milionë euro.
Vitin e kaluar, shifra arriti në 11.4 milionë euro.
Pra, brenda një periudhe prej pesë vitesh, pagesat ndaj kompanisë mëmë janë rritur me rreth 7.4 milionë euro.
Rritja është e ndjeshme dhe tregon një zgjerim të fortë të fluksit financiar nga kompania shqiptare drejt pronarit të saj në Estoni.
Pikërisht këtu hyn në lojë administrata tatimore.
Kur një kompani shqiptare kryen pagesa të konsiderueshme ndaj një kompanie të lidhur jashtë vendit, administrata tatimore ka mundësinë të kontrollojë natyrën e këtyre transaksioneve dhe mënyrën se si ato ndikojnë në fitimin e tatueshëm.
Në qendër të kontrollit janë rregullat e transferimit të çmimeve.
Parimi është që kompanitë e lidhura duhet të kryejnë transaksione me kushte të krahasueshme me ato që do të zbatoheshin mes kompanive të pavarura.
Pra, pyetja është nëse 605.5 milionë lekët për menaxhim, 219 milionë lekët për garanci dhe 274.3 milionë lekët interesa përfaqësojnë vlera të arsyeshme dhe të justifikueshme sipas kushteve të tregut.
Nëse po, atëherë bëhet fjalë për shpenzime që janë pjesë e marrëdhënieve normale financiare të grupit.
Nëse jo, atëherë lind pyetja nëse këto pagesa kanë ndikuar në mënyrë artificiale në uljen e fitimit të deklaruar në Shqipëri.
A po largohet fitimi nga Shqipëria?
Thelbi i gjithë çështjes është i thjeshtë: sa fitim krijon IuteCredit në Shqipëri dhe sa prej tij mbetet këtu pasi zbriten pagesat ndaj kompanisë mëmë?
Nëse një pjesë e madhe e fitimit përdoret për të paguar shërbime, garanci dhe interesa ndaj pronarit jashtë vendit, atëherë natyrshëm lind pyetja se sa është fitimi real që mbetet për t'u tatuar në Shqipëri.
Në një ekonomi ku kompanitë ndërkombëtare veprojnë përmes strukturave të ndryshme juridike, transferimi i fitimeve dhe optimizimi tatimor janë çështje që monitorohen nga autoritetet fiskale në të gjithë botën.
Por kur diferencat mes regjimeve tatimore janë të mëdha, rreziku i zhvendosjes së fitimeve bëhet një çështje edhe më e rëndësishme.
Në rastin e IuteCredit, bilanci tregon një rritje të ndjeshme të pagesave ndaj kompanisë mëmë në Estoni, nga 3.96 milionë euro në vitin 2020 në 11.4 milionë euro vitin e kaluar.
Kjo është një rritje prej gati tre herësh në pesë vite.
Dhe pikërisht këtu qëndron pyetja që mbetet për administratën tatimore: a janë këto pagesa në përputhje me vlerën reale të shërbimeve dhe me parimin e çmimit të tregut, apo përmes tyre po zhvendoset një pjesë e fitimit të krijuar në Shqipëri drejt Estonisë?
Shifrat janë në bilanc. 1.1 miliardë lekë ose 11.4 milionë euro pagesa ndaj kompanisë mëmë vetëm gjatë vitit të kaluar, kundrejt 3.96 milionë eurove pesë vite më parë.
Një rritje që e vendos në qendër të vëmendjes jo vetëm aktivitetin financiar të IuteCredit Albania, por edhe mënyrën se si kontrollohen transaksionet mes kompanive të lidhura dhe nëse Shqipëria po merr pjesën e saj të detyrimeve tatimore nga fitimet e krijuara brenda vendit./Versus.al

