14 Shtator 2026, 18:54
Nga E. D
Bekim Sejdiu
KOSOVË- Bekim Sejdiu ka njoftuar tërheqjen nga kandidatura për president të Republikës së Kosovës, duke e lidhur vendimin me mungesën e mbështetjes së nevojshme parlamentare dhe përplasjet politike rreth procesit. Me anë të një reagimi në Facebook, Sejdiu tha se ishte kontaktuar para dy javësh nga përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ishte ftuar në një takim me delegacionet e LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas tij, në takim ishte bërë e ditur se, pas një procesi të gjatë negociatash, të dyja partitë kishin arritur pajtueshmëri që ai të propozohej si kandidat jopartiak për president. Sejdiu deklaroi se e kishte pranuar kandidaturën për shkak të krizës institucionale dhe nevojës për zhbllokimin e situatës politike. Megjithatë, ai tha se procesi nuk arriti të siguronte mbështetjen e nevojshme në Kuvend.
Më tej, ai theksoi se mungesa e mbështetjes parlamentare dhe përplasjet e brendshme politike e shtynë të tërhiqej nga gara. Sejdiu bëri të ditur se për vendimin kishte njoftuar paraprakisht përfaqësuesit e LDK-së dhe LVV-së. Ai falënderoi të gjithë ata që e mbështetën kandidaturën e tij, përfshirë kolegët, miqtë, personalitetet publike, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe mërgatën shqiptare në Shtetet e Bashkuara.
Ai nënvizoi se nuk kishte pasur ambicie për pozita publike përtej angazhimeve akademike dhe profesionale, duke shtuar se motivi i vetëm për pranimin e kandidaturës ishte ndihma për zhbllokimin e krizës institucionale. Në fund të reagimit, Sejdiu u bëri thirrje partive politike të gjejnë një zgjidhje dhe të shmangin thellimin e polarizimit.
Njoftimi i plotë:
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, të dashur miq! Para dy javësh u kontaktova nga përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga të cilët u ftova në një takim të përbashkët me delegacionet e kryesuara nga liderët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Lëvizjes Vetëvendosje. Aty u njoftova se, pas një procesi shterues bisedimesh, këto dy parti kanë arritur pajtueshmëri që emri im të propozohet si kandidat jopartiak për President të Republikës së Kosovës.
E konsideroj këtë si besim të madh ndaj meje si person dhe një vlerësim për kontributin tim në jetën institucionale të Republikës së Kosovës. Përfaqësuesve të këtyre dy partive ua shpreh mirënjohjen time më të thellë, që më kanë nderuar me një besim të tillë dhe për mbështetjen e tyre përgjatë këtij procesi. Duke qenë i vetëdijshëm për periudhën e vështirë nëpër të cilën po kalon vendi ynë dhe për rrezikun që kriza institucionale të thellohet, kam pranuar të jem kandidat për President të Republikës së Kosovës.
Komoditetin personal dhe indiferencën intelektuale nuk i kam konsideruar asnjëherë opsione kundruall nevojës për t’i shërbyer vendit, sidomos në situata krizash. I kam qëndruar gjithmonë idesë se intelektualët dhe profesionistët kanë përgjegjësi ndaj shoqërisë dhe se kapacitetet intelektuale dhe aftësitë e tyre profesionale nuk kanë asnjë vlerë nëse nuk vihen në shërbim të interesit të përgjithshëm.
Siç e kam thënë edhe në paraqitjen time publike, nuk kam pasur asnjë ambicie për pozita publike përtej atyre akademike dhe profesionale dhe motivi im i parë dhe i vetëm për ta pranuar propozimin për postin e Presidentit të shtetit ka qenë që të vihem në shërbim të zhbllokimit të ngërçit institucional.
Kam besuar se partitë politike parlamentare dhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të gjejnë forcë për t’i tejkaluar ndasitë politike ose çfarëdo interesi tjetër, për t’i dhënë vendit institucione stabile në këto kohë të vështira dhe me plot sfida.
Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si Presidentit dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës.
Për këtë vendim timin i kam njoftuar më herët përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Lëvizjes Vetëvendosje.
Mbështetja e gjerë që më është ofruar këto ditë, nga kolegë, miq, personalitetete publike e të shoqërisë civile dhe, në mënyrë të veçantë, nga mërgata shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më ka bërë krenar për punën time në shërbim të Republikës së Kosovës.
Kjo ma përforcon besimin e patundur se lojalitetin institucional dhe patriotizmin kushtetues i kam pasur gjithmonë si udhërrëfyesit e vetëm në angazhimin tim institucional. Atë përcaktim, sidomos në mbrojtje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, asnjëherë nuk e kam pasur selektiv apo konjuktural, por parimor dhe profesional.
Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj nuk kanë nevojë për drama politike dhe thellim të polarizimit, por për maturi dhe bashkim në funksion të forcimit të shtetit tonë.
Prandaj, me sinqeritetin më të madh shpresoj se partitë politike do të gjejnë rrugëdalje nga ky rreth vicioz, i cili, më shumë se çdo gjë tjetër, po e venitë shpresën e qytetarëve për një të ardhme prosperuese për ta dhe familjet e tyre.
Republika e Kosovës është shtëpia jonë e përbashkët, e lindur nga ideale të pathyeshme dhe sakrifica sublime.Kosova qëndron mbi çdonjërin prej nesh, ndaj, së bashku, ia kemi borxh t’i shërbejmë me devotshmëri, gjithmonë, kurdo dhe pa asnjë kusht./Dosja.al
bekim sejdiu
Politike
14 Shtator 2026, 17:36
E. D
Sophie Menegon
HAGË- Avokatja Sophie Menegon, e cila përfaqëson Hashim Thaçin në çështjen për administrimin e d...
Politike
14 Shtator 2026, 17:22
E. D
pamjet
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka publikuar një video në rrjetet sociale, ku tregon gjimnazistët e ...
Politike
14 Shtator 2026, 16:41
G.M
Flamuri i BE-së dhe i Kosovës. Fotografi ilustruese nga arkivi.
BRUKSEL- Bashkimi Evropian (BE) tha se është në dijeni të vot...
Politike
14 Shtator 2026, 15:49
G.M
Shefi i NATO-s, Mark Rutte.
KOSOVË- Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se përkushtimi i Aleancës për ruajtjen...
Politike
14 Shtator 2026, 14:35
E. D
Erion Braçe
TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, duke folur në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave vijoi ...
Politike
14 Shtator 2026, 15:30
G.M
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.
Konstituimi i Kuvendit të Kosovës është bërë në shkelje të ...
Politike
14 Shtator 2026, 14:30
E. D
Erion Braçe
TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka kritikuar ashpër KLGJ dhe KLP për vendimet p&eum...
Politike
14 Shtator 2026, 14:59
E. D
Ilir Meta
TIRANË- Gjykata e Apelit ka pranuar kërkesën e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, për të da...
Politike
14 Shtator 2026, 14:44
Elton Qyno
FIER- Përmes 5 procedurave tenderuese të hapura në Ditën e parë të Shkollës, kryetari i bashkisë Fier, Armando Subashi...
Politike
14 Shtator 2026, 14:15
E.d
Foto ilustruse
HAGA- Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të zhvillohet në Hagë më 16 shtator. Seanca gj...