Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Rusia dhe Ukraina kanë rënë dakord të ndalojnë reciprokisht sulmet ndaj objektivave energjetike të njëra-tjetrës.
Në një postim në rrjetin e tij social Truth Social, Trump tha se marrëveshja parashikon që të dyja palët të shmangin goditjet ndaj infrastrukturës energjetike, ndërsa e lidhi rritjen e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare kryesisht me luftën në Ukrainë dhe jo me konfliktin në Lindjen e Mesme.
“Ukraina ka rënë dakord të mos i godasë objektivat e energjisë ruse. Rusia ka rënë dakord të bëjë të njëjtën gjë! Rritja e çmimit botëror të naftës është shkaktuar kryesisht nga lufta Rusi-Ukrainë, jo nga Irani”, shkroi Trump.
Deklarata e presidentit amerikan vjen pasi ai i kishte bërë thirrje presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky që të ndalonte sulmet ndaj infrastrukturës ruse të prodhimit dhe furnizimit me naftë.
Trump ka pretenduar se goditjet ukrainase ndaj objekteve energjetike ruse kanë ndikuar në furnizimin me karburant dhe kanë shkaktuar mungesa në tregun rus.
Nëse marrëveshja për ndalimin reciprok të sulmeve zbatohet, ajo do të përbënte një hap për uljen e goditjeve ndaj infrastrukturës energjetike të të dyja vendeve, e cila është kthyer vazhdimisht në objektiv gjatë luftës Rusi-Ukrainë.


