Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar publikisht CEO-n e Anthropic, Dario Amodei, pas deklaratave të tij për nevojën e një ritmi më të kontrolluar në zhvillimin e modeleve të inteligjencës artificiale.
Në një postim në Truth Social, Trump argumentoi se zhvillimi i Inteligjencës Artificiale nuk duhet të ngadalësohet nga masa apo kontrolle që mund të pengojnë përparimin teknologjik. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të investojnë dhe të avancojnë me shpejtësi në këtë sektor për të ruajtur epërsinë ndaj vendeve rivale.
Trump theksoi gjithashtu se administrata e tij ka mjete të rëndësishme për të ndërhyrë ndaj kompanive të Inteligjencës Artificiale, përfshirë mekanizma rregullatorë dhe penalë.
Presidenti amerikan kritikoi qëndrimet që, sipas tij, krijojnë pengesa për zhvillimin e teknologjisë dhe ndërtimin e qendrave të mëdha të të dhënave, të cilat konsiderohen thelbësore për zgjerimin e kapaciteteve të IA-së.
Duke e vendosur zhvillimin e Inteligjencës Artificiale në kuadër të konkurrencës strategjike mes SHBA-së dhe Kinës, Trump argumentoi se vendi që do të fitojë këtë garë do të ketë një avantazh të madh ekonomik, teknologjik dhe strategjik.
“Ne jemi përpara Kinës dhe të gjithëve të tjerëve dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, shkroi Trump.
Në fund të mesazhit të tij, presidenti amerikan lëshoi edhe një paralajmërim ndaj personave që i përshkroi si “teoricienë konspiracioni, tradhtarë, dezertorë dhe rrjedhës informacioni”, duke u bërë thirrje të tregohen të kujdesshëm.
Përplasja publike vjen në një kohë kur në SHBA po zhvillohet një debat i fortë mbi mënyrën se si duhet të rregullohet Inteligjenca Artificiale, ndërsa kompanitë teknologjike garojnë për të zhvilluar modele gjithnjë e më të avancuara dhe për të zgjeruar infrastrukturën e nevojshme për funksionimin e tyre.


