Sezoni i ri televiziv në Vizion Plus! Struktura programore sjell risi dhe surpriza

“7 pa 5” dhe “Mes’dritë”, me një maratonë transmetimi live, kanë çelur zyrtarisht sezonin e ri televiziv në Vizion Plus.
Një sezon që do të sjellë programe të reja, më shumë informacion dhe aktualitet, më shumë argëtim dhe transmetime live.
Informacioni, një nga shtyllat e patjetërsueshme të Vizion Plus, do të vijë me të njëjtën koherencë dhe besueshmëri, por me një edicion të rinovuar, komunikues, me grintë dhe me një hapësirë të zgjeruar dedikuar lajmit dhe aktualitetit, pa filtra dhe nga çdo dimension.
Risi dhe surpriza do të sjellë struktura programore, e konceptuar për t’u afruar gjithmonë e më shumë me audiencën dhe e pasuruar me formate, premiera e protagonistë të rinj, që do t’u bashkohen produksioneve ikonike në Vizion Plus, për një sezon që, nga mëngjesi, në pasdite apo prime-time, do të sjellë një zgjedhje për gjithësecilin.
Shtrirja e transmetimit të programeve të përditshëme, nga e hëna në të shtunë do të jetë një tjetër propozim i këtij sezoni, gjithmonë duke synuar forcimin e lidhjes së shikuesve me programet apo serialet e preferuara.
E sa u përket atyre, sezoni nis me katër tituj ekskluzivë në transmetim njëherësh dhe me kohëzgjatje më të madhe për më shumë kohë në dispozicion për ndjekësit besnikë, por jo vetëm.
Disa surpriza i kemi zbuluar, të tjera do të zbulohen ditë pas dite deri në formimin e mozaikut më të larmishëm televiziv, që këtë sezon do të vijë nën logon Vizion Plus.
Plus për ty, Plus për të gjithë.




