Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 107 e protestës, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës

Beqiraj: Numri i punonjësve të UKT-së Zagreb dhe UKT-së Tiranë, historia e pyetjes që la pa gjumë japonezin!

Beqiraj: Numri i punonjësve të UKT-së Zagreb dhe UKT-së Tiranë, historia e pyetjes që la pa gjumë japonezin!

19:48, 14/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ish-zv.ministrja e Financave, Irena Beqiraj, ka reaguar për numrin e punonjësve të Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, duke e krahasuar atë me ndërmarrjen publike të ujësjellësit dhe kanalizimeve të Zagrebit.

Në një reagim të saj, Beqiraj sjell në vëmendje diferencën në numrin e punonjësve të dy ndërmarrjeve, duke e shoqëruar atë me një histori nga një konferencë ku merrnin pjesë sipërmarrës shqiptarë dhe japonezë.

Reagimi i plotë i Irena Beqirajt:

Zona metropolitane e Zagrebit është afërsisht 4,930 kilometra katrorë dhe ka një popullsi të përgjithshme prej rreth 1.1 milionë banorësh.

Ndërmarrja shtetërore e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve të Zagrebit ka 1,249 punonjës.

Zona metropolitane e Tiranës ka një sipërfaqe prej 1,110 kilometra katrorësh dhe një popullsi të përgjithshme prej 800,986 banorësh, sipas INSTAT. Ujësjellës-Kanalizime Tiranë (UKT), sipas të dhënave të raportuara në Entin Rregullator të Ujit (ERRU), numëron të paktën 1,400 punonjës.

Teksa lexoja këto të dhëna, më erdhi ndërmend një histori e vjetër.

Në një konferencë ku diskutoheshin çështje të zhvillimit të industrisë së përpunimit të qumështit ishte edhe një sipërmarrës shqiptar. Teksa sipërmarrësit pjesëmarrës në panel po prezantonin kompanitë e tyre, kapacitetin, të punësuarit dhe totalin e kapitalit, shqiptarit i qëlloi të fliste pas sipërmarrësit japonez, i cili kishte deklaruar, ndër të tjera, se kishte 9 punëtorë.

Shqiptari, për t’i rënë shkurt, tha: ‘Unë kam pak a shumë një fabrikë me kapacitetin e kolegut japonez, me 10 punëtorë’ (në fakt kishte 50 punëtorë).

Mëngjesin tjetër, drejtuesi i panelit, pasi i përshëndeti pjesëmarrësit, i pyeti nëse kishin fjetur mirë.

Japonezi tundi kokën dhe tha: ‘Unë nuk kam fjetur fare! Kam gjithë natën që vras mendjen çfarë pune bën ai punëtori i 10-të tek fabrika e kolegut shqiptar?!’

Edhe unë jam duke vrarë mendjen çfarë pune bëjnë 151 punëtorë më shumë tek UKT-ja e Tiranës, me sipërfaqe 4 herë më të vogël dhe me rreth 299 mijë banorë më pak?!

Çfarë bëjnë vallë?

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco