Rajoni

U propozua nga LVV dhe LDK, tërhiqet nga kandidatura për president në Kosovë Bekim Sejdiu: Nuk mora mbështetjen e nevojshme

Kandidati për president të Kosovës, Bekim Sejdiu, i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës është tërhequr nga kandidatura.

Siç raporton korrespondentja e Top Channel Leonita Bajrami, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, ka shkruar se u tërhoq meqë nuk mori përkrahjen e mjaftueshme për t’u zgjedhur si president.

“Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si Presidentit dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sejdiu i cili  thotë se ka njoftuar LDK-në dhe VV-në për vendimin e tij.

Bekim Sejdiu si kandidat për president i dalë nga marrëveshja Vetëvendosje – LDK, nuk mori mbështetjen e 6 deputetëve të LDK-së, duke bërë kështu që të mos arrihet kuorumi prej 80 deputetësh për zgjedhjen e presidentit.