
Dhjetëra qytetarë u mblodhën sërish mbrëmjen e sotme në protestën e 107-të kundër qeverisë ku denoncuan ndërhyrjen e efektivëve ndaj protestuesit ditën e sotme, si tejkalim të kompetencave, ndërsa kanë paralajmëruar se nuk do të tërhiqen nga aksioni i tyre.
Sipas protestuesve, pavarësisht presionit dhe forcës së përdorur gjatë tubimit, protesta do të vijojë edhe në ditët në vazhdim. Ata kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë gjithashtu aksionet për bllokimin e institucioneve dhe të Kuvendit.
Aktivistja Luçiana Kokaj deklaroi se protesta tashmë është shndërruar në një qëndresë të vazhdueshme qytetare dhe politike.
“106 ditë përballë pushtetit që mendojnë se do të shuajnë protestën, por ne jemi ende këtu. Është qëndresë e pastër qytetare dhe politike, jo protestë e çastit”, tha Kokaj.
“Sot protestuesit u përballën me dhunë e represion policor, si në Zvërnec. Kjo dhunë nuk mund të injorohet, duhet dënuar me forcë të lartë, jo vetëm për tejkalim kompetencash, por po përdoret për të frikësuar qytetarët”.
Do të vijojmë bllokimin e institucioneve dhe Kuvendit. Nuk na përfaqësojnë. Zhvendosja e vëmendjes nga protesta do të ishte lirim për Ramën”, u shpreh Lucciana Kokaj./Versus.al
Deklarata e plote
Më lejoni të lexoj një deklaratë që është dakordësuar me të gjitha grupimet që janë në shesh. Prej 106 ditësh qytetarët po qëndrojnë përballë një pushteti që beson se koha, lodhja dhe presioni do ta shuajnë zërin e tyre. Ne jemi këtu përballë të njëjtit pushtet, duke treguar se kjo është një qëndresë e pastër qytetare dhe politike.
Sot, një grup protestuesish, një pjesë shqiptarë të diasporës, u përballën me një dhunë dhe represion policor, si një Zvërnec, i cili na solli dhe po na mban në rrugë për 106 ditësh.
Kjo dhunë policore dhe shtetërore nuk mund të injorohet. Por duhet dënuar me forcën më të lartë, jo vetëm për shkak të tejkalimit të kompetencave dhe shkeljes së rregullave të policisë, por edhe se po përdoret i tentativë për të frikësuar qytetarët.
Prej 106 ditësh qëndrimi ynë ka qenë i qartë, forca jonë është bashkimi i qytetarëve, revolta dhe qëndresa. Ne nuk do të heshtim, nuk do të frikësohemi dhe nuk do të tërhiqemi, sa më shumë të përpiqen të na ndajnë ,aq më shumë do jemi bashkë. Ndryshimi nuk vjen nga dhuna, po nga njerëz që nuk pranojnë më të papranueshmen.
Po kërkojmë që populli të jetë vendimmarrës, jo përmes dhunës, por përmes qytetarisë. Jemi dhe do vijmë për bllokimin e institucioneve publike dhe veçanërisht të Parlamentit, në të cilin bashkë në një ditë ekzekutivi dhe legjislativi. Dy institucione që nuk na përfaqësojnë.
Duhet të jemi të vetëdijshëm se zhvendosja e protestës do të ishte një lirim i madh për Ramën, që në këto 13 vite përpiqet të tregojë se vetëm ata që e rrethojnë janë mëkatarë, sillet si pronar i këtij vendi dhe se para godinës së Ministrisë nuk duhet të protestohet.
Ndaj jemi këtu dhe do të jemi në këtë shesh, përballë Kryeministrisë, derisa Edi Rama dhe qeveria e tij, klasa politike e korruptuar, të largohet.

