Kardinali Ernest Simoni ka mbajtur një meshë në gjuhën shqipe në Kishën Katolike të Shën Gjonit në shtetin e Virxhinias, e cila u mbajt në nder të 10-vjetorit të shenjtërimit të Nënë Terezës dhe 250 vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.
Kardinali Ernest Simoni ndodhet në SHBA për një vizitë gjatë së cilës po takohet me komunitetet shqiptare në disa shtete.
Në meshën për Nënë Terezën dhe Kardinalin Ernest Simoni morën pjesë shqiptarë të feve të ndryshme, komuniteti vendas dhe Diakoni Lekë Brisku nga Çikago.
Komuniteti shqiptar i Arlingtonit, me bazë në McLean, dëshmoi harmoninë fetare shqiptare me pritjen pas meshës, ndërsa Kardinali Simoni gjatë qëndrimit 4-ditor kremtoi mesha edhe në Virxhinia dhe në Bazilikën Kombëtare e në famullinë e Rruzares së Shenjtë në Uashington.
Ipeshkvi i Dioqezës së Arlingtonit, Michael Francis Burbidge, e ftoi kardinalin të kremtojë një meshë për komunietin shqiptar të kësaj dioqeze.
Kardinali 97 vjeçar gjatë fjalës së tij e vuri theksin te familja, mbrojtja e saj dhe përgjegjësia e bashkëshorëve.
“Burrë dhe grua, shumohuni. Burri duhet ta dojë gruan ashtu siç Krishti e deshi Kishën”, ishte mesazhi që Kardinali përcolli gjatë meshës.
Kujtojmë se Kardinali Simon është cilësuar nga Papa Francesku si një "martir i gjallë". Ai u arrestua nga regjimi komunist në Shqipëri dhe prej 18 vitesh vuajti në burgjet e vendit dhe 12 vite punoi në miniera. Pavarësisht vështirësive dhe torturave të sistemit ai nuk u lëkund kurrë nga besimi. Pasi mbaroi dënimin "martiri i gjallë" u shtronte fshehurazi mesha për besimtarët.
Papa Francesku, në vitin 2016 e ngriti atë në rangun e kardinalit.
