Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar sot drejt Italisë, ku do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Konsullatës së Nderit të Republikës së Shqipërisë në Napoli.
Konsullata e re, e drejtuar nga Konsulli i Nderit Giuseppe Lettieri, do të mbulojë rajonin e Kampanjës dhe pritet të shërbejë si një pikë referimi për komunitetin shqiptar në këtë zonë.
Përmes veprimtarisë së saj, konsullata synon të kontribuojë në ofrimin e shërbimeve për qytetarët shqiptarë, si dhe në forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë në fushat ekonomike, kulturore dhe sociale.
Gjatë vizitës në Napoli, Rama do të ndalet edhe në Katedrën e Gjuhës Shqipe në Universitetin “L’Orientale”, ku do të zhvillojë një vizitë në kuadër të angazhimeve të tij gjatë qëndrimit në qytet.
Më pas, kryeministri do të jetë në Universitetin “Parthenope”, ku do të marrë pjesë në një pritje me temën “Napoli, një urë miqësie, bashkëpunimi dhe zhvillimi mes Italisë dhe Shqipërisë”.
Në fokus të vizitës do të jetë edhe bashkëpunimi akademik. Në përmbyllje të axhendës, Rama, së bashku me ministren Mirela Kumbaro, do të zhvillojë një takim me rektorët e universiteteve të Napolit.
Takimi do t’i kushtohet mundësive për krijimin e sinergjive më të mëdha mes universiteteve italiane dhe atyre shqiptare, veçanërisht në kuadër të ndërkombëtarizimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit në arsimin e lartë.


