
Resorti në Rrjoll që po ndërtohet nga biznesmeni Bashkim Ulaj, ka ndryshuar emër dhe kanë nisur shitjet e njësive të banimit. Denoncimi u bë nga një nga banoreve të kësaj zone e cila bashkë me shumë pronarë tokash, vijojnë protestën për vjedhjen e pronave të tyre.
Luciana Kokaj, ka akuzuar biznesmenin se me ndryshimin e emrit nga “Blu Borgo” në “Baks Bay” po tenton tjetërsimin e të vërtetës.
Kokaj u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos blejnë prona në resortin që po zhvillohet në zonë.
"Sot resorti është bërë fakt aty. Rrethimi është bërë me kangjella e beton i gjithë zonës ku do ndërtohet. Kanë filluar të hedhin themelet e disa prej pallateve që do ndërtohen aty.
Ka filluar edhe procesi i shitjes për ‘Baks Buy’. Sepse emri nuk është më ‘Blu Borgo’, por ‘Baks Bay’. Po ofrohet shitje e pronave në Rrjoll nën emrin ‘Baks Buy’. Për të tjetërsuar të vërtetën dhe historinë kanë ndryshuar emrin.
“Ta dinë të gjithë shqiptarët, që kur të shohin atë resortin e bukur që po reklamohet nga ato agjencitë imobilare, është resorti që po ndërtohet në tokën tonë të vjedhur”, u shpreh Kokaj.
Projekti në Rrjoll ka qenë prej kohësh në qendër të protestave të banorëve dhe aktivistëve, të cilët kundërshtojnë zhvillimin e resortit dhe ngrenë shqetësime mbi pronësinë e tokës dhe ndikimin në mjedis.
Ndërkohë, sipas deklarimeve të Kokajt, punimet në terren kanë vijuar dhe tashmë janë shfaqur edhe themelet e disa prej strukturave të parashikuara./Versus.al

