
Tre persona kanë përfunduar në prangat e policisë greke pas një sulmi të dhunshëm ndaj një shtetasi indian në qytetin e Thivës. Mes të arrestuarve janë dy shtetas me origjinë shqiptare dhe një shtetas grek.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:00 të mëngjesit të së shtunës, në rrugën Dirkis. Sipas raportimeve të mediave greke, tre personat dyshohet se kanë sulmuar dhe rrahur shtetasin indian.
Pas sulmit, viktima ka tentuar të largohet në drejtim të zonës qendrore të këmbësorëve, por autorët dyshohet se e kanë ndjekur dhe kanë vijuar ta godasin.
Menjëherë pas ngjarjes, policia greke ka nisur hetimet për identifikimin e personave të përfshirë. Për zbardhjen e rastit janë përdorur edhe pamjet e kamerave të sigurisë të vendosura në zonën ku ndodhi sulmi.
Pas analizimit të pamjeve dhe mbledhjes së të dhënave, efektivët arritën të identifikonin tre të dyshuarit. Ata u arrestuan gjatë ditës së diel.
Sipas mediave lokale, njëri prej të arrestuarve banonte në një banesë në rrugën kryesore të këmbësorëve në Thivë.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, motivin e sulmit dhe rolin konkret të secilit prej tre personave të arrestuar./Versus.al

