
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë pritet të shpallin të mërkurën aktgjykimin në procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre ish-komandantëve të tjerë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Procesi ndaj Thaçit dhe ish-komandantëve të UÇK-së ka zgjatur disa vite dhe tashmë pritet vendimi i gjykatës për akuzat e ngritura ndaj tyre për krime të pretenduara gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999.
Prokuroria ka kërkuar dënime me 45 vite burgim për secilin prej të akuzuarve. Thaçi dhe tre ish-komandantët i kanë mohuar të gjitha akuzat, ndërsa ekipet e tyre mbrojtëse kanë kërkuar shpalljen e pafajësisë.
Thaçi dhe tre ish-krerët e UÇK-së akuzohen për një sërë veprash penale, përfshirë përndjekje, vrasje, torturë dhe zhdukje të detyruar të shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës gjatë luftës dhe në periudhën menjëherë pas saj.
Sipas Prokurorisë, gjatë kësaj periudhe janë vrarë më shumë se 100 persona që konsideroheshin kundërshtarë politikë apo bashkëpunëtorë të forcave serbe.
Prokuroria ka pretenduar gjithashtu se të akuzuarit kanë pasur përgjegjësi në një strukturë që lidhet me krimet e pretenduara.
Nga ana tjetër, mbrojtja e Thaçit ka kundërshtuar akuzat, duke argumentuar se nuk ekzistojnë prova që e lidhin drejtpërdrejt ish-presidentin me krimet e pretenduara.
Avokatët e tij kanë argumentuar gjithashtu se nuk është provuar që Thaçi të kishte kontroll mbi komandantët e tjerë të UÇK-së dhe se akuzat e Prokurorisë nuk mbështeten nga prova të mjaftueshme.Vendimi i Dhomave të Specializuara pritet të ndiqet me vëmendje të madhe në Kosovë./Versus.al

