I ftuar në emisionin “Çim Peka Live” në Syri TV, kryeredaktori i Syri TV, Romir Saraçi, deklaroi se përgjimet e publikuara ngrenë dyshime serioze për një koordinim politik dhe institucional në çështjen e Timak Defense dhe përfshirjen e zyrtarëve të lartë të qeverisë.
Saraçi u ndal te një bisedë ku Roni Yeffet përmend pamundësinë për të vepruar të mërkurën, duke e lidhur këtë datë me 28 janarin, kur Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve shqyrtonte kërkesën e SPAK për Belinda Ballukun.
Sipas tij, kjo përputhet me një takim të dokumentuar mes Ballukut dhe Yeffet dhe me një mënyrë funksionimi ku çështjet zgjidhen përmes kontakteve direkte, jashtë procedurave zyrtare.
Saraçi argumentoi se koordinimi i këtyre veprimeve nuk mund të shpjegohet thjesht me vendime individuale dhe ngriti përgjegjësinë politike deri te kryeministri Edi Rama.
Në fokus të intervistës ishte edhe mënyra e financimit të Timak Defense.
Saraçi tha se procedurat për kompaninë kishin avancuar përpara miratimit të akteve nënligjore që duhej t’u jepnin bazë ligjore, ndërsa miliona euro nga fondet publike janë dhënë në formën e paradhënieve përmes një strukture private që shmang kontrollin tradicional të tenderave dhe auditimit.
Ai e cilësoi këtë si një model që nuk kufizohet vetëm te Timak Defense, por shfaqet edhe në çështje të tjera strategjike, duke përmendur Bankers, Aeroportin e Vlorës dhe Delvina Gas.
Saraçi kërkoi që SPAK të mos ndalet vetëm te përgjimet, por të hetojë dokumentet, procedurat dhe lëvizjen e parave, duke ngritur dyshimin për një skemë më të gjerë të përdorimit të fondeve publike dhe përgjegjësisë politike të qeverisë Rama.
Pjesë nga intervista:
Për të kuptuar tek audio përgjimi se si funksionojnë edhe çfarë ndodh e kush janë protagonistët. Përgjimi, mos gaboj, totali është bërë në ditët e fundit të janarit. Edhe personazhet flasin për ditë të mërkure. Se duke parë përgjimin herën e parë, po bëja verifikimet. Dhe Roni Yeffet thotë bashkëbiseduesve: 'shiko se të mërkurën nuk ka mundësi. Vjen e premtja pastaj nuk ka... të shtunë, të diel në Shqipëri nuk punojnë'. E di çfarë ka ndodhur të mërkurën? Në datën 28 janar, ditën e mërkurë, do të shqyrtohej në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve kërkesa e SPAK-ut për Belinda Ballukun.
Pra, Roni Yeffet thotë nuk është e disponueshme të mërkurën për shkak nga kërkesa. Tani, nëse dhe në këtë rast është koincidencë, atëherë i mbetet po prapë SPAK-ut. Por fakt është që e mërkura për të cilën flasin korrespondon me datën 28 që Belinda Balluku nuk mundet, sepse në Këshillin e Mandateve dhe të Imunitetit shqyrtohej kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit. Kjo është pjesa që e lidh Belinda Ballukun deri diku, përveçse Edi Ramës. Se në të gjithë këtë operacion, si në rastin e Ministrisë së Energjetikës, si në rastin e armëve, në ato çfarë emisioni Plug ka bërë në disa episode emisionesh, po edhe ne si televizion kemi investiguar, të gjitha lëvizjet janë bërë në mënyrë aq të koordinuar sa nuk mund t'i bënte as Belinda Balluku, as Roni Yeffet, as Ardi Veliu, as kush tjetër përveç Edi Ramës. Dhe kanë funksionuar fiks siç thuhet në këtë përgjim. Pra, Roni Yeffet thotë mos bëni asnjë gjë zyrtare sepse i zgjidhim në kontakte dhe në takime të tjera. Dhe një nga takimet, Juli besoj e ka kaluar në regji, që konfirmohet një takim i Belinda Ballukut me Roni Yeffet, se si diskutohen dhe si zgjidhen gjërat. Është e konfirmuar në shkresat, në investigimet që kemi bërë.
Doja vetëm sa për ta ilustruar, sepse këtu kemi përgjimet, që i zgjidhim pa shkresa, pa institucione, pa rrugë zyrtare, dhe zgjidhen në formë të drejtpërdrejtë. Dhe konfirmimi në formë të drejtpërdrejtë është kjo foto ku është Roni Yeffet me Belinda Ballukun. Pra kjo është zgjidhja. Pra, konfirmimi i përgjimeve që zgjidhet në këtë formë, kjo është fotoja. Dhe institucionalisht dhe shkresërisht do ndalemi në vijim se si kanë funksionuar fiks siç thotë Roni Yeffet. Për Timak Defense, çfarë ndodh? Ne kemi bërë, si televizion edhe emisioni Plug, i kemi bërë Ministrisë së Mbrojtjes dhe Kajos i kemi bërë kërkesë për informacion se si janë ndjekur procedurat. Në emisionin e opinion, Ardi Veliu deklaroi që kërkesa nga Arjeta Puca ne na ka ardhur në janar. Ndërkohë të njëjtën pyetje ne ia kemi bërë me shkresë zyrtare. Dhe Ardi Veliu që lexonte në telefon dhe me shënime në atë emision, thotë në janar, ndërsa ne na thotë në dhjetor. Pra janë dy qëndrime të ndryshme, që tregon që nuk ka qenë as në dhjetor as në janar, ose Ardi Veliu bashkë me të tjerët të ndajnë mendjen nëse kërkesa ka qenë në dhjetor apo në janar. Çfarë ndodh? Ishte bërë kuadri ligjor, por për t'u zbatuar dhe për t'u futur në operacion duhej të bëheshin VKM-të, vendimet e Këshillit të Ministrave, për të bërë procedurat, për të përcaktuar rregullat për ngritjen e këtij bashkëpunimi.
Dhe nuk është bërë asnjë VKM deri në momentin që në lojë është futur Roni Yeffet. Pra, ndërsa kishin kaluar gjashtë muaj që ishte ndërtuar e gjithë infrastruktura, bashkëpunimi, nuk kishte asnjë bazë ligjore, pra vendim të Këshillit të Ministrave. Edhe për negocimin duhej të kishte një VKM të posaçme që këta të negocionin me Arjeta Pucën dhe Timakun. Nuk kishte asnjë. Janë bërë të gjitha negociatat, janë bërë të gjitha veprimet dhe VKM-ja ka dalë në qershor. Pra gjashtë muaj pasi ishin kryer të gjitha procedurat, që konfirmon që veprojnë po prapë në formën siç thotë Roni Yeffet, asnjë gjë zyrtare, se i bëjmë në rrugë të tjera. Dhe rrugët e tjera ishin që kemi mbyllur të gjithë procedurën, gjashtë muaj më pas bëjmë bazën ligjore VKM-në për të qenë në rregull. Ndalemi më pas. Për çfarë janë ndërtuar të gjithë këto skema? Se nuk bëhet fjalë vetëm për trafikun e armëve, që është diçka shumë e rëndë për vendin tonë dhe imazhin. Por thelbi është zhvatja e lekëve, pjesa e parë është zhvatja e lekëve. Ato 31 milionë euro që flitet që i ka marrë Timak Defense, duhej të jepeshin me tendera, me prokurime, në mënyrë të rregullt për çfarëdo lloj armatimi, qoftë për ato ambulancat qoftë për dronë apo për gjithçka tjetër. Është ndërtuar Kajo, dhe Kajo ka dhe shumë modele të tjera, për të shmangur pikërisht tenderat, prokurimet publike, për të shmangur kontrollin, për të shmangur auditet. Sepse fondet jepen paradhënie.
Pra i jepet Timak Defense dhe Roni Yeffet i jepen X lekë, që një nga pagesat e fundit ishin 10 milionë, 9 pikë ca milionë euro ishte paradhënie, për të kryer punën. Dhe më pas, duke qenë se kompania është private, sepse Timak Defense... 20% ka Kajo aksione, 80% i ka Timaku i Roni Yeffet dhe Arjeta Pucës. Duke qenë se është kompani private, as kontrollohet, as auditohet, as nuk jep llogari. Dhe nuk i jep llogari kujt. Dhe të gjithë këtë bazë ligjore që ata të funksionojnë dhe të mos kontrollohen e ka ndërtuar Edi Rama me vendim të Këshillit të Ministrave. E ka ndërtuar Edi Rama me ligj. Pra nuk bëhet fjalë për një skemë të ndërtuar thjesht nga Roni Yeffet për trafik armësh apo nga personazhe të tjerë të lidhur me Roni Yeffet, po është një skemë e mirëmenduar dhe e mirëorganizuar nga kryeministri i vendit, sepse vetëm ai e ka fuqinë dhe kompetencën dhe në fund ai ka firmosur për ngritjen e të gjithë kësaj skeme. Po flitej për gazin. Çfarë ndodh? Pse kjo skemë është skema simbol e mënyrës se si po funksionon kjo qeveri. Janë disa projekte. Në përgjime ishin për gazin, për Delvina Gas. Ku i kemi problemet e tjera dhe kompanitë e tjera të cilat i përmendi zoti Ahmetaj, por edhe që njihen botërisht në Shqipëri. Kemi Bankersin. Kush është metodologjia që u përdor për Bankersin? Presion, burg, kërcënime, largime, derisa e larguan, shtetëzuan kompaninë për të përdorur të njëjtën skemë. Kemi Aeroportin e Vlorës. E njëjta skemë, me Behgjet Pacollin.
U përndoq, u bë, u kërcënua, derisa u largua për ta shtetëzuar dhe për të përdorur të njëjtën skemë. E njëjta gjë me Delvina Gas, që e thatë pak më parë. U përndoq, u godit, për ta larguar dhe më pas për të përdorur të njëjtën skemë. Këta po funksionojnë edhe më keq se në komunizëm. Nëse dikur këto kompani shtetëzoheshin dhe i përdorte shteti, këta janë akoma dhe më keq, këta nuk po i shtetëzojnë dhe t'i përdorin më pas për interesa të qytetarëve, po këta po i grabisin për interesa personale duke i shtetëzuar dhe më pas duke i privatizuar në mënyrë korruptive. Prandaj kjo skemë, nga ana e SPAK-ut duhet të kishte marrë goditje që në momentin e parë, jo vetëm sekuestrimet e përgjimeve, po dokumentet i ka pasur aty, që nga denoncimet e Plugut, SPAK duhet të veprojë për të goditur këtë lloj skeme që nuk është e vetmja në rastin e Roni Yeffet. Janë të paktën 21 kompani të tjera që janë ndërtuar me skemën e Kajos. Janë ndërtuar kompani private të cilat u disbursohen miliona euro nga buxheti i shtetit, që më pas të përdoren në format nga më të ndryshmet dhe të vidhen në mënyrë të pakontrolluar.
© SYRI.net