Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të rrisë presionin ndaj Rusisë dhe të miratojë masa të reja ndëshkuese, pas dështimit të vendeve anëtare për të arritur një marrëveshje mbi vazhdimin e sanksioneve ndaj Moskës.
Në një reagim në platformën X, Zelensky paralajmëroi se Evropa nuk duhet të humbasë fokusin te lufta në Ukrainë, duke iu referuar edhe vonesave në procesin e rinovimit të masave kufizuese ndaj Rusisë.
“Ky nuk është momenti që Evropa të harrojë se çfarë po ndodh”, shkroi presidenti ukrainas, duke theksuar se rëndësia e sanksioneve ndaj Moskës është e qartë për të gjithë. Ai paralajmëroi gjithashtu që Rusia të mos përfitojë nga situata, duke i cilësuar çdo lehtësim si “dhurata” për Moskën.
“Ne kemi nevojë për sanksione të reja dhe më të fuqishme – sanksione ndaj të cilave Rusia nuk mund të përshtatet”, deklaroi Zelensky.
Presidenti ukrainas kërkoi që masat e reja të përqendrohen veçanërisht te industria ruse e raketave balistike. Sipas tij, sanksionet duhet të përfshijnë të gjithë zinxhirin e prodhimit të raketave balistike ruse, ndërsa paralelisht duhet të ndërmerren masa për të kufizuar burimet financiare të Moskës.
“Së fundmi, bëhet fjalë për masa që e kufizojnë luftën”, theksoi Zelensky.
Kreu i shtetit ukrainas iu drejtua edhe Shteteve të Bashkuara, duke nënvizuar rëndësinë e miratimit përfundimtar dhe hyrjes në fuqi të projektligjit të senatorit Lindsey Graham për forcimin e sanksioneve ndaj Rusisë.
Projektligji ka marrë mbështetje të gjerë dypartiake në Senatin amerikan, ndërsa Zelensky kërkoi që procedurat të përfundojnë dhe nisma të shndërrohet në ligj.
Sipas presidentit ukrainas, një koordinim më i fortë mes Evropës dhe SHBA-ve për sanksionet është thelbësor për të rritur presionin ndaj Moskës dhe për të kufizuar aftësinë e saj për të financuar dhe zhvilluar luftën në Ukrainë.


