Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas tërheqjes së Bekim Sejdiut nga kandidatura për President të Kosovës, duke akuzuar opozitën për bllokimin e procesit të zgjedhjes së kreut të shtetit.
Në reagimin e saj, Vetëvendosje thekson se Sejdiu ishte kandidati i përbashkët i dalë nga marrëveshja mes saj dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, por procesi u pamundësua nga qëndrimi i një pjese të deputetëve të LDK-së, si dhe nga vendimi i PDK-së dhe Aleancës për të mos marrë pjesë në votim.
“Fatkeqësisht, pas arritjes së marrëveshjes, një pjesë e deputetëve të LDK-së doli kundër kandidaturës së miratuar edhe nga partia e tyre. Ndërsa PDK-ja dhe Aleanca u deklaruan se nuk do të merrnin pjesë në procesin e zgjedhjes së Presidentit”, thuhet në reagim.
Sipas Vetëvendosjes, këto qëndrime krijuan rrethanat që penguan zgjedhjen e Presidentit në Kuvend dhe çuan në tërheqjen e Sejdiut nga gara.
“Kuvendi është vendi ku dallimet politike shprehen me votë. Mund të votosh për, mund të votosh kundër. Por kur mospjesëmarrja përdoret për ta pamundësuar votimin, atëherë nuk kemi më dallim politik rreth një kandidati, por pengim të vetë procesit kushtetues dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të përsëritura”, deklaron Vetëvendosje.
Partia në pushtet shprehet se i ka qëndruar marrëveshjes dhe kandidaturës së përbashkët deri në fund, ndërsa akuzon opozitën se ka penguar një zgjidhje institucionale.
“Dialogu u zhvillua, kompromisi u bë, marrëveshja u arrit dhe kandidati i përbashkët u gjet. Kur erdhi koha që marrëveshja të merrte votën e Kuvendit, nisi pengimi dhe goditja e saj”, thuhet më tej në reagim.














