Lulzim Caka, shqiptari i cili ra në pranga pak ditë më parë në Greqi ka reaguar publikisht përmes një video ku dhe i ka mëshuar pafajësisë së tij për akuzat e ngritura për drogë.
Krah avokatit të tij, Caka, i njohur edhe si John Franko, ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij duke theksuar kështu se është i pafajshëm dhe se e vërteta do të dalë në dritë shumë shpejt.
“Asgjë nuk ekziston nga këto që thonë. Unë jam i pafajshëm. E drejta do dalë shumë shpejt. Unë nuk kam lidhje me ato që thonë televizionet, njerëzit dhe policia. Unë jam i pafajshëm.”, dëgjohet të thotë Caka i cili ra në prangat e autoriteteve greke pak ditë më parë, në kuadër të operacionit të koduar “Lulet se së Keqes”.
Caka nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare. Ai ka një histori të gjatë përballjeje me ligjin, veçanërisht gjatë viteve 1990, kur emri i tij u lidh me disa prej episodeve më të bujshme të kronikës së zezë në zonën Berat-Fier-Lushnjë.
Ai është dënuar me 25 vite burg për disa vepra penale, ndërsa në vitin 2003 u ekstradua nga Italia drejt Shqipërisë për të vuajtur dënimin. Pas rreth 16 vitesh në qeli, në vitin 2019 Caka u lirua nga burgu. Vendimi për lirimin e tij u shoqërua më pas me debate dhe hetime mbi mënyrën se si ishte ekzekutuar dënimi, duke sjellë edhe pasoja administrative në sistemin penitenciar.
Një prej episodeve më të rënda që lidhen me emrin e tij është edhe rrëmbimi dhe vrasja e nënës së tij, Xhevrie Caka në vitin 1999, pasi ajo e kishte vizituar të birin në burg.
Pas lirimit, Caka u përball sërish me probleme me drejtësinë shqiptare, ndërsa në vitin 2022 autoritetet greke refuzuan kërkesën për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Në Greqi ai dyshohet se ka jetuar nën identitetin John Franko.
Tashmë Caka ndodhet në paraburgim në Greqi, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur rolin e tij të dyshuar në trafikun e kokainës dhe lidhjet e mundshme me rrjetin që solli drogën nga Kolumbia drejt territorit grek.
View this post on Instagram
