Gazetari Enton Abilekaj ka ngritur pikëpyetje të forta lidhur me përgjimet e Roni Yeffet, të publikuara nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, duke u ndalur te një pjesë ku, sipas tij, Yeffet flet për tregti armësh me origjinë nga Sudani.
I ftuar në emisionin “Çim Peka LIVE” në SYRI TV, Abilekaj deklaroi se nëse përmbajtja e përgjimit konfirmohet, kjo mund të ketë pasoja edhe për licencën e kompanive që merren me tregtinë e armëve në Shqipëri.
Sipas gazetarit, Sudani është një vend nën sanksione ndërkombëtare për tregtinë e armëve, ndërsa ligji shqiptar parashikon heqjen e licencës në rast se një kompani përdor apo tregton armë të sanksionuara nga vendet anëtare të NATO-s.
“Po të shohim ligjin që përcakton kushtet e licencimit ose të heqjes së licencës për këdo që merret me tregti armësh në Republikën e Shqipërisë, një nga kushtet është që në qoftë se kompania merr armë të sanksionuara nga vendet anëtare të NATO-s, i hiqet licenca”, tha Abilekaj.
Ai shtoi se, nëse deklarata e Yeffet në përgjim vërtetohet, sipas tij duhet të nisë një hetim për të përcaktuar nëse janë shkelur kushtet e licencimit.
“Pra vetëm me atë deklaratë që ka bërë zotëria, ka humbur licencën praktikisht. Dhe mjafton të bëhet një hetim dhe të kuptojmë që ajo licencë tashmë ka humbur”, u shpreh gazetari.
Po ashtu Abilekaj u ndaj edhe te 30 milionë eurot e dhëna nga qeveria shqiptare, për të cilat gazetari tha se duhet të hetohet destinacioni dhe mënyra se si janë përdorur.
“30 milionëshi që ka dhënë qeveria, në fakt dyshoj shumë, dhe kjo është për t’u hetuar pikërisht nga kjo, se ka të bëjë më shumë me investimin që duhet të bëjë Timak Defense pas licencimit. Dhe përderisa ky nuk ka investuar ose nuk ka investuar asnjë lek, atëherë shteti ka nxituar t’i japë, qeveria shqiptare 30 milionë euro”, tha Abilekaj.












