Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Konfront - Kuvendi dhe qeveria në Gjykatën Kushtetuese

Koci: Zgjedhjet e reja vështirë se do të mbahen më 27 dhjetor

4 o. më parë / 14 sht 2026 21:08
Melazim Koci

Opinionisti Melazim Koci ka thënë se është thuajse e sigurt se zgjedhje të reja të jashtëzakonshme është vështirë të mbahen më 27 dhjetor. 

Partitë opozitare kanë akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se synimin e ka që zgjedhjet e reja të parakohshme të organizohen më 27 dhjetor. 

Koci në “Konfront” të KTV-së ka thënë se nuk e përjashton mundësinë që Gjykata Kushtetuese të caktojë masë të përkohshme për pezullimin e punës së Kuvendit e po ashtu edhe të pezullohet afati dymujor për zgjedhjen e presidentit. 

“Kjo ndoshta është rrethanë më e favorshme pasi i jep kohë klasës politike të gjejë zgjidhje më në fund, të ulët e ta kuptojë se zgjedhjet e reja nuk e di se çfarë mund të sjellin. Jam vërtetë i sigurt se zgjedhjet e reja vështirë se mbahen më 27 dhjetor, pasi ndërhyrja e Kushtetueses do ta lëvizë këtë datë për së paku një muaj”, tha Koci. 

Kuvendi i Kosovës u konstituua, pa nënkryetar të PDK-së, të dielën. PDK-ja e ka dërguar këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese sot. Ndërsa të martën pritet ta dërgojë në Kushtetuese edhe zgjedhjen e Qeverisë Kurti 4. 

Ramaj: Mbase Kurti e ka projektuar që para zgjedhjeve të kaluara shkuarjen në këto zgjedhje

4 o. më parë / 14 sht 2026 20:53
Saranda Ramaj

Njohjësja e politikës, Saranda Ramaj ka thënë se kryeministri Albin Kurti, duke e parë gjendjen e partive opozitare, mbase i ka projektuar zgjedhjet e ardhshme para zgjedhjeve të kaluara.

Ramaj ka thënë se para zgjedhjeve të fundit, Kurti kishte deklaruar se nëse nuk mund të zgjidhet presidenti, mund të shkohet sërish në zgjedhje.

Njohësja e politikës ka komentuar edhe deklarimin e Kurtit gjatë prezantimit të programit qeverisës kur thotë se në dy vjetët e fundit kanë qenë ushtrues detyre dhe pa kompetenca të plota. Sipas Ramës, kabinetin e Kurtit nuk e ka penguar asgjë të shtyjë përpara punë të mira në shumë fusha.

“Kurti gjatë prezantimit të programit tha se në dy vjetët e fundit kemi qenë ushtrues detyre pa kompetenca të plota, unë nuk e di çka ua ka ndaluar kompetencat e plota përveç motiveve të tyre politike që më shumë të merren me inskenime të zgjedhjeve sesa procedimin e politikave të ndryshme qoftë sociale a qoftë në arsim. Ajo çka ka ndodhë edhe dje e mbase në të gjithë muajt e kaluar është një sekuencë adresimi e Kurtit kur thotë që nëse ata nuk mund ta zgjedhin presidentin vetë mund të mbahen edhe një palë zgjedhje, pra në zgjedhjet e kaluara. Pra mbase ai e ka projektuar kështu prej atëherë, e sidomos duke i parë partitë opozitare të shkapërderdhura”, ka thënë Ramaj.

Koci: Kushtetuta s’i nënshtrohet diktatit të pushtetit e as të politikës

4 o. më parë / 14 sht 2026 20:52
Melazim Koci

Opinionisti Melazim Koci vlerëson se është shumë keq që po normalizohet shkelja e Kushtetutës në Kosovë. 

Koci në “Konfront” të KTV-së ka thënë se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ka shkelur aktgjykimin e Kushtetueses së vitit 2025 dhe e ka marrë diçka si shumë normale. 

“Për fat të keq klasa politike kësaj radhe tentoi që duke instrumentalizuar një normë të pa penalizuar juridike, për faktin se nuk ka penalizim. E instrumentalizoi dhe tentoi ta fusë në marrëveshje politike. VV-ja doli me atë se nuk e konstituojmë Parlamentin e Qeverinë pa e zgjedhur presidentin. Por, nuk funksionon kështu”, tha Koci. 

Ai tha se norma juridike nuk ka të bëjë me marrëveshje politike. Dhe tha se aktgjykimi i vitit 2025 është shumë i qartë, se Kuvendi duhet konstituuar 30 ditë pas certifikimit të rezultateve. Ai ka thënë se në këtë shkelje mori pjesë e Lidhja Demokratike e Kosovës e pjesërisht edhe Partia Demokratike, deputetët e të cilave parti ishin prezentë në seancë edhe pas kalimit të afatit kushtetues. 

“Kushtetuta nuk i nënshtrohet diktatit, as të pushtetit e as të politikës. Në të kundërtën futemi në një labirint të rrezikshëm e të interpretojmë atë sipas nevojave të politikës ditore. Kjo ndodhi kësaj radhe, e lehtësi të padurueshme të them, lehtësi në mënyrë të habitshme, aq të lehtë thuajse ishte gjëja më normale. Kështu vendi shkon kaos”, tha Koci. 
 

Daka: Kuvendi nuk është i konstituuar, jemi në gjendje jokushtetuese

5 o. më parë / 14 sht 2026 20:35
Valdete Daka

Ish gjyqtarja e Gjykatës Supreme, Valdete Daka ka thënë se vazhdimisht janë bërë shkelje nga ana e partisë në pushtet andaj sipas saj Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar.

Daka në emisionin “Konfront” në KTV është shprehur se deputetët e kësaj legjislature edhe mund të vazhdojnë punimet por gjithsesi Gjykata Kushtetuese do të vendosë për kushtetushmërinë e saj meqenëse veç është dorëzuar lënda për të.

“Kemi shkuar nga shkelja në shkelje. Ky Kuvend jo vetëm që nuk është i konstituar por për mua është komplet një farzë dhe një gjendje jokushtetuese që nga fillimi deri në fund. Deputetët mund të vazhdojnë të punojnë por gjithsesi e kemi një çështje në Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykata Kushtetuese e ka obligim ligjor që të vendosë diçka lidhur me atë kërkesë që është dorëzuar sot”, ka thënë Daka

Daka ka shtuar se meqenëse nuk ka ndëshkime, nuk do të thotë që duhet shmangen afatet e përcaktuara në bazë të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ajo foli edhe për kërkesën për vendosjen e një mase të përkohshme nga ana e kësaj Gjykate.

“Me sa e kam kuptuar mirë ka edhe një kërkesë për vendosjen e një mase të përkohshme, masën e sigurisë në fakt dhe nëse i referohemi rastit të kaluar kur Gjykata e kishte aprovuar masën e sigurisë, ndoshta për të parandaluar të kqijat tjera dhe marrjen e vendimeve të tjera të cilat do të ishin në dëm të shtetit, sigurisht që do të aprovohet masa e sigurisë”, ka thënë Daka në “Konfront”.

Një ditë pasi kryetarja Albulena Haxhiu e shpalli Kuvendin të konstituuar, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për ta interpretuar kushtetutshmërinë e procesit. 

Deputeti nga radhët e PDK-së, Arian Tahiri, tha se në lëndën e dorëzuar të hënën është përfshirë edhe kërkesa për vendosjen e masës së përkohshme deri në marrjen e një vendimi meritor.