Një anije luftarake ruse lëshoi dy raketa sinjalizuese në drejtim të një helikopteri ushtarak danez në ujërat ndërkombëtare, pranë brigjeve të Danimarkës, duke e humbur për pak mjetin ajror. Këtë e bëri të ditur ushtria e vendit nordik, anëtar i NATO-s, sipas Copenhagen Post.

Helikopteri po kryente një mision rutinë për të fotografuar anijen ruse, bëri të ditur Komanda e Mbrojtjes së Danimarkës. Kopenhaga do të thërrasë ambasadorin rus për të diskutuar incidentin, njoftoi veçmas për televizionin TV2 ministri i Mbrojtjes, Jeppe Bruus.

Ngjarja ndodhi ndodhi pas një episodi tjetër të tensionuar në hapësirën evropiane të NATO. Një avion luftarak i aleancës rrëzoi një dron në Lituani pak pas mesnatës së të martës, njoftoi Qendra Kombëtare Lituaneze për Menaxhimin e Krizave.

Droni, i cili me gjasë kishte hyrë nga Bjellorusia, u rrëzua pranë fshatit Pratkunai, në jug të Lituanisë, pranë Kaunasit, qytetit të dytë më të madh të vendit, tha zëdhënësi i qendrës. Origjina e tij ende nuk është përcaktuar, shtoi ai.

Më herët ishte dhënë një alarm për dronë në kryeqytetin Vilnius dhe në rajonin përreth.

Avionët luftarakë të misionit të NATO-s për Mbrojtjen Ajrore të Baltikut kanë patrulluar qiejt e Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë që kur vendet baltike iu bashkuan aleancës në vitin 2004. Avionët e misionit rrëzuan dronë ukrainas që kishin dalë nga kursi mbi Estoni në maj, si dhe mbi Letoni në qershor dhe gusht.

Dronët ushtarakë që kanë hyrë pa dashje në hapësirën ajrore të vendeve fqinje me Rusinë kanë rritur shqetësimet se lufta e Rusisë në Ukrainë po shtrihet përtej kufijve të NATO-s.

Ukraina ka intensifikuar sulmet me dronë me rreze të gjatë ndaj Rusisë, përfshirë edhe në zonën e Detit Baltik, dhe disa dronë ushtarakë ukrainas kanë hyrë pa dashje në hapësirën ajrore të Finlandës, Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë.

Ukraina ia atribuoi këto incidente Rusisë, duke thënë se Rusia po ndikon në trajektoret e dronëve përmes përdorimit të luftës elektronike.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:51
Avionët e NATO-s rrëzojnë një dron që hyri në hapësirën ajrore të Lituanisë

1789458775_avioneluftarake.webp

Foto: Avion luftarak

Një dron që kishte shkelur gjatë natës hapësirën ajrore të Lituanisë është rrëzuar nga avionë luftarakë të NATO-s.

Autoritetet thanë se droni mund të ketë hyrë në Lituaninë jugore, pranë qytetit të dytë më të madh të Kaunasit, nga Bjellorusia fqinje pak pas mesnatës të së martës.

"Një dron që sapo hyri në hapësirën ajrore lituaneze u shkatërrua nga avionët luftarakë të NATO-s", tha Presidenti lituanez Gitanas Nauswda në X.

Origjina e dronit ende nuk është përcaktuar, tha një zëdhënës. Ndërkohë Moska nuk ka komentuar për incidentin.

Lituania ndan një pjesë të madhe të kufirit të saj jugor dhe lindor me Bjellorusinë, një aleat kyç i Rusisë.

Sulmet ushtarake me dronë janë bërë gjithnjë e më të zakonshme në të gjithë Evropën që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia.

Avionët luftarakë të NATO-s janë ngritur disa herë në ajër për të rrëzuar dronë që kanë kaluar në vendet baltike, Estoni dhe Letoni, këtë vit.