E martë, 15 Shtator 2026 7 PA 5 deri në 09:00 Në vijim ora 09:00: Mes'dritë Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Huthët përshkallëzojnë sulmet ndaj Arabisë Saudite, rriten shqetësimet për tregjet e naftës

Ilustrim · Vizion Plus

Huthët e Jemenit, të mbështetur nga Irani, kanë intensifikuar sulmet ndaj Arabisë Saudite, ndërsa forcat e tyre po konsolidojnë kontrollin përgjatë bregut perëndimor të Jemenit dhe në zonat strategjike pranë Detit të Kuq. Përparimi i tyre ka nxitur diskutime urgjente në Riad për mënyrën e reagimit, ndërsa shtetet arabe të Gjirit kanë shtyrë bisedimet e planifikuara me Iranin, duke rritur frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në rajon.

Huthët deklaruan se të hënën kanë lëshuar dhjetëra raketa dhe dronë drejt një baze ajrore ushtarake në Khamis Mushait, në jug të Arabisë Saudite. Sipas grupit, objektivat ishin hangarët e avionëve, sistemet radarike, pistat dhe depot e municioneve. Autoritetet saudite aktivizuan alarmet e emergjencës në Khamis Mushait dhe në tre qytete të tjera jugore, ndërsa koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite deklaroi se 13 civilë u plagosën.

Situata është përkeqësuar edhe nga përparimi i Huthëve në Detin e Kuq, përfshirë marrjen nën kontroll të ishullit Perim, në hyrje të kësaj rruge detare. Paralelisht, një sulm ajror ka nxjerrë jashtë funksionit një pjesë të rëndësishme të tubacionit saudit, rreth 1,200 kilometra të gjatë, që lidh bregun e Gjirit Persik me Detin e Kuq. Riad-i ka fajësuar për sulmin milici të mbështetura nga Irani në Irak. Tregtarët paralajmërojnë se një ndërprerje e zgjatur mund të prekë deri në 4% të furnizimit global me naftë.

Në përgjigje, forcat ajrore saudite dhe ato të qeverisë jemenase kanë intensifikuar bombardimet ndaj pozicioneve të Huthëve, veçanërisht pranë portit historik të Mocha-s. Megjithatë, zyrtarë të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht të Jemenit thonë se Huthët vazhdojnë të kenë kontroll efektiv mbi pjesën më të madhe të bregut perëndimor të vendit. Sipas një zyrtari jemenas, ndërsa Huthët po përballen me presion ushtarak, ata po e rrisin njëkohësisht presionin ndaj Arabisë Saudite përmes sulmeve me raketa dhe dronë.

Përshkallëzimi në Jemen po komplikon edhe përpjekjet diplomatike. Shtyrja e një takimi të planifikuar në Oman mes Iranit dhe shteteve të Gjirit ka rritur pasigurinë rreth negociatave për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme energjetike në botë. Ndërkohë, SHBA-ja deri tani ka refuzuar kërkesat saudite për ndërhyrje të drejtpërdrejtë ushtarake, duke ofruar mbështetje në fushën e inteligjencës. Presidenti Donald Trump ka deklaruar se ka komunikuar me princin e kurorës saudite, ndërsa Huthët i kanë kërkuar Uashingtonit të mos përfshihet në konflikt.

Zhvillimet e fundit kanë ndikuar edhe në tregjet energjetike. Çmimet e naftës u rritën me më shumë se 4% gjatë së hënës, përpara se të stabilizoheshin me një rritje rreth 1%. Ndërkohë, pasiguria mbetet e lartë në Ngushticën e Hormuzit, e cila ka qenë kryesisht e mbyllur që prej fillimit të luftës më 28 shkurt. Përshkallëzimi në Jemen, tensionet mes Iranit dhe vendeve të Gjirit dhe kërcënimet ndaj transportit detar po shtojnë frikën se konflikti mund të zgjerohet më tej dhe të ketë pasoja të drejtpërdrejta për furnizimet globale me energji.

Xhuljana Zhuleku
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.