DETAJET/ 42 kg kokainë në mishin e pulës nga Brazili, kontenieri qëndroi disa ditë në Greqi, mister porositësi

Një tjetër operacion antidrogë është zhvilluar nga Policia e Durrësit, ku janë sekuestruar rreth 42 kilogramë kokainë. Lënda narkotike është zbuluar në një kontejner me mish pule, të porositur nga kompania private AMG SHPK, e cila merret me përpunimin e mishit në Shqipëri.
Gazetari Esido Barkaj raportoi në emisionin “7pa5” në Vizion Plus se policia vijon hetimet për të zbuluar personat që kanë futur lëndën narkotike në kontejnerin me produkte mishi. Deri më tani, grupi hetimor nuk ka një përgjigje të qartë se ku dhe nga kush është vendosur kokaina brenda kontejnerit.
Kontejneri kishte mbërritur në Portin e Durrësit, ndërsa mishi ishte nisur nga Brazili. Përpara se të mbërrinte në Shqipëri, kontejneri kishte qëndruar për disa ditë në Portin e Pireut në Greqi, duke e bërë ende të paqartë për hetuesit vendin ku është futur saktësisht lënda narkotike.
Sipas burimeve, bëhet fjalë për kokainë të pastër, me një vlerë tregu që përllogaritet në rreth 2 milionë euro. Sasia totale prej 42 kilogramësh ishte ndarë në 10 pako, të cilat ishin vendosur në pjesët e jashtme të kontejnerit.
Hetimet janë përqendruar kryesisht te personat që kanë porositur lëndën narkotike dhe mënyra se si ajo është futur në ngarkesën që transportonte mishin nga Brazili drejt Shqipërisë. Policia po verifikon të gjitha hallkat e itinerarit të kontejnerit, për të identifikuar personat përgjegjës.
Ndërkohë, përfaqësues të kompanisë AMG SHPK janë marrë në pyetje në kuadër të hetimit për porositjen e ngarkesës. Autoritetet vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të përfshirë në trafikun e kokainës.
/vizionplus.tv




