Avioni i NATO-s rrëzon dronin që shkeli hapësirën ajrore të Lituanisë

Avioni i NATO-s rrëzon dronin që shkeli hapësirën ajrore të Lituanisë

08:33, 15/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një avion luftarak i NATO-s rrëzoi një dron në Lituani pak pas mesnatës (15 shtator), njoftoi Qendra Kombëtare e Menaxhimit të Krizave në Lituani.

Droni, i cili dyshohet se kishte hyrë nga Bjellorusia, u rrëzua pranë fshatit Pratkunai në jug të Lituanisë, afër Kaunasit, qyteti i dytë më i madh në vend, tha zëdhënësi i qendrës. Ai shtoi se origjina e dronit ende nuk është përcaktuar.

Më herët ishte lëshuar një alarm për dron në kryeqytetin Vilnius dhe në zonat përreth informon Reuters.

Avionët luftarakë të misionit të Mbrojtjes Ajrore të NATO-s në Baltik patrullojnë hapësirën ajrore të Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë që nga anëtarësimi i këtyre vendeve në aleancë në vitin 2004. Avionët e këtij misioni kanë rrëzuar edhe më parë dronë ukrainas që kishin devijuar nga kursi mbi Estoni në maj, si dhe mbi Letoni në qershor dhe gusht.

Hyrja e dronëve ushtarakë në hapësirën ajrore të vendeve fqinje të Rusisë ka shtuar shqetësimet se lufta e Rusisë në Ukrainë mund të përhapet përtej kufijve të NATO-s.

Ukraina ka intensifikuar sulmet me dronë me rreze të gjatë veprimi ndaj Rusisë, përfshirë edhe në zonën e Detit Baltik, ndërsa disa dronë ushtarakë ukrainas kanë hyrë gabimisht në hapësirën ajrore të Finlandës, Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë.

Kievi i ka atribuar këto incidente ndërhyrjeve elektronike ruse, duke pretenduar se lufta elektromagnetike e Moskës ka ndikuar në devijimin e trajektores së dronëve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco