E martë, 15 Shtator 2026 Mes'dritë deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Gjykata e Lartë vendos sot për Veliajn, avokati Ndreca: S’ka më arsye të qëndrojë në burg, nëse nuk lirohet do t’i drejtohemi Strasburgut

Ilustrim · Vizion Plus

Sot pritet të zhvillohet seanca gjyqësore për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa vëmendja e politikës është përqendruar te Gjykata e Lartë, ku pritet të merret një vendim i rëndësishëm për vijimin e masës së sigurisë ndaj tij. Veliaj pret lirimin nga qelia dhe vijimin e detyrës si kryetar i Bashkisë së Tiranës në gjendje të lirë.

Çështja është rikthyer për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, në emisionin “7pa5” në Vizion Plus, deklaroi se Gjykata e Lartë duhet të vlerësojë nëse vijimi i masës “arrest me burg” është ende i justifikuar, duke marrë në konsideratë edhe kohën e gjatë që Veliaj ka kaluar në qeli.

“Gjykata e Lartë nuk ka asnjë mundësi tjetër veçse të shfuqizojë vendimin ‘arrest me burg’ dhe të vërë në balancë kushtetuese 19 muajt në qeli. Është një praktikë e konsoliduar e Gjykatës së Strasburgut që përcakton se sa më shumë të kalojë koha në burg, aq më e madhe bëhet barra e provës së prokurorisë për të argumentuar se ky i akuzuar duhet të qëndrojë me masën e arrestit në burg”, u shpreh Ndreca.

Sipas avokatit, me kalimin e kohës dobësohen arsyet për mbajtjen e një personi në burg, pasi kjo masë vendoset për të mbrojtur hetimin dhe provat. Ndreca argumentoi se tashmë prokuroria duhet të paraqesë arsye konkrete se përse vijimi i kësaj mase sigurie është ende i nevojshëm. “Zoti Veliaj ka një kalim ekstrem të afatit pse duhet të mbahet kjo masë sigurie. Nuk ka më asnjë arsye pse duhet të qëndrojë në këtë masë ekstreme sigurie”, tha ai.

Ndreca theksoi gjithashtu se Veliaj është ende kryetar i Bashkisë së Tiranës, detyrë që shteti ia ka konfirmuar, por që aktualisht nuk mund ta ushtrojë. Ai tha se mbrojtja nuk e ka humbur besimin te drejtësia shqiptare, por në rast se vendimi nuk do të jetë në përputhje me qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese, çështja do të dërgohet sërish në këtë gjykatë dhe më pas në Gjykatën e Strasburgut.

Në rast se Veliaj lirohet, gjykimi ndaj tij do të vijojë dhe lirimi nga qelia nuk do të nënkuptojë përfundimin e procesit gjyqësor. “Gjykimi vijon, ne do të përballemi me çdo akuzë. Por kjo nuk do të thotë që Veliaj të vijojë më tej në burgim pa afat. Edhe vetë Gjykata Kushtetuese thotë që nuk është proporcionale”, deklaroi Ndreca. Nëse Gjykata e Lartë nuk vendos në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, mbrojtja paralajmëron se do ta çojë çështjen sërish në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Strasburgut.

/vizionplus.tv

Xhuljana Zhuleku
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.